Atleti shqiptar Izmir Smajlaj ka korrur sot një tjetër triumf ndërkombëtar në garën e kërcimit së gjati.
Shkodrani ka zënë vendin e parë në kampionatin e shteteve të vogla, që u zhvillua në Lihtenshtejn.
Smajlaj dha rezultatin 7.90 metra, duke zënë vendin e parë, një triumf i padiskutueshëm ky i atletit shqiptar në këtë kampionat.
Praktikisht, Smajlaj realizoi 4 kërcimet më të mira të kësaj gare (kërceu edhe 7.88m, 7.72m dhe 7.70m në garën e tij), ndërkohë që në vendin e dytë u rendit gjeorgjiani Lasha Gulelauri, me 7.67 metra, shumë larg atletit kuqezi.
Në këtë event mori pjesë edhe Gledis Hallunaj, që u rendit në vendin e nëntë, duke kërcyer 6.90 metra.
Për Smajlaj, rezultati i dhënë sot në këtë turne nuk është më i miri (8.08 metra është rekordi i tij), por ky ishte një test i mirë për atletin shkodran në prag të eventeve të tjera ndërkombëtare, që zhvillohen këtë verë.
Në këtë turne të zhvilluar në Lihtenshtejn morën pjesë 250 sportistë nga 18 shtete të ndryshme, që garuan në 11 disiplina.