Paraqitja e djeshme në turneun ndërkombëtar të Tivarit të Malit të Zi e atletëve shkodranë ka qenë shumë e mirë. Njëri prej tyre, pikërisht Izmir Smajlaj ka zënë vendin e parë në garën e kërcimit së gjati. Në fakt në këtë disiplinë ka patur një konkurrim shkodranësh sepse përveç Smajlajt, ka marrë pjesë edhe atleti tjetër i Vllaznisë Gledis Halluni si dhe shkodrani që konkurron për Tiranën Admir Bregu. Ky i fundit siç dihet është edhe rekodmeni në fuqi i kësaj gare në vendin tonë me 7.75 m. Në këtë garë fitues ka dalë Izmir Smajlaj që ka kërcyer 7.31 m në Tivar duke zënë kështu vendin e parë, i dyti është renditur Gledis Halluni me 7.26 m dhe i treti Admir Bregu me 7.22 m. Përveç këtyre dy sportistëve të Vllaznisë, në mitingun ndërkombëtar të Tivarit kanë marrë pjesë edhe tre atletë të tjerë të saj dhe pikërisht Elvedin Meti, Bajram Muça dhe Xhaneto Zefi. Edhe këto sportistë, pavarësisht se nuk kanë zënë vende të para, kanë përmirësuar kohët e tyre. Në këtë mënyrë, kjo pjesmarrja mund të themi se ka qenë pozitive për atletët shkodranë. Ata ndërkohë duhet të bëhen gati tashmë për ditën e kërcimeve që do të zhvillohet më datë 10 maj në Shkodër. Bëhet fjalë vetëm për atletët e garave të kërcimit ky sytë ndoshta duhen përqendruar tek Izmir Smajlaj. Ai pak ditë më parë zuri vendin e parë në Kupën e Shqipërisë duke kërcyar 7.40 metra ndërsa në Tivar arriti distancën 7.31. Mbase në garën e pas disa ditëve ai do ta përmirësojë edhe më shumë këtë distancë dhe pse jo, edhe t’i afrohet rekordit kombëtar.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)