Atleti shkodran Izmir Smajlaj vendos sërish rekord të ri kombëtar, por këtë herë duke realizuar ëndrrën e madhe të jetës së tij, kalimin e distancës së 8 metrave në garën e kërcimit së gjati. Ka ndodhur kështu në garat e zhvilluara pasditen e djeshme në Elbasan, zhvilluar në kuadrin e kupës së  nderimit të figurave ku ai ka kërcyer 8.03 metra. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë përveç sportistëve më të mirë të Shqipërisë edhe të ftuar të tjerë nga Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, San Marino, Malta, Italia, Armenia dhe Rumania. Atleti i Vllaznisë ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në këtë garë dhe në kërcimet e tij ka arritur atë distancë që kërkonte prej kohësh.

Natyrisht që rekordi i ri është fruti i punës së bërë prej vitesh prej tij dhe prej trajnerit Vildan Tufi dhe tashmë kjo punë konkretizohet me sukses. Me këtë rezultat dhe me rekordin e ri kombëtar që ka vendosur, Izmir Smajlaj padyshim që tashmë është shumë pranë sigurimit të ftesës për të marrë pjesë në Olimpiadën e Rio De Zhaneiros që zhvillohet këtë verë. Forma shumë e mirë sportive që po tregon atleti 23 vjeçar është njëkohësisht edhe një arsye më shumë për të menduar se shumë shpejt do të kemi sërish rekorde prej tij. Distancat që ai po përshkon sigurisht që janë arritje të mëdha jo vetëm për atletikën shqiptare por edhe më gjerë. Gjithsesi dyshja Smajlaj- Tufi nuk kanë ndër mend të ndalen këtu. Ata premtojnë se do të vazhdojnë punën për të nderuar veten dhe natyrisht edhe Shkodrën.
© shkodrasport.com