Pasditen e sotme ekipi i Vllaznisë i është rikthyer sërish stërvitjeve pas dy ditësh pushim. Kuqeblutë kanë zhvilluar seancën e rradhës në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Ajo që duhet veçuar është se numri i futbollistëve në dispozicion të trajnerit Gjoka nuk ka qenë i madh.

Arsyeja është grumbullimi i disa lojtarëve me ekipet kombëtare apo dhe dëmtimi i disa të tjerëve.

Pikërisht nga kjo, është vërejtur edhe diçka shumë interesante gjatë kësaj seance stërvitore. Në disa minuta të fundit të saj, ekipi ka zhvilluar një lojë me dy porta.

Por numri i futbollistëve të pranishëm ka qenë tek dhe për rrjedhojë, për të plotësuar ekipet e ndara në dy pjesë, ka shërbyer… vetë trajneri Ernest Gjoka.

Pavarësisht moshës, ai është dukur në një formë të mirë sportive dhe padyshim, edhe me ego për të fituar ndaj ekipit kundërshtar.

Një alternativë më shumë për kuqeblutë, të paktën për stërvitje.
© shkodrasport.com