Ajo që kishte paralajmëruar mbrëmë trajneri i ekipit “Vllaznia B” se një lojtar i këtij ekipi do të dilte sot në stërvitje me ekipin e parë, është realizuar. Bëhet fjalë për një sportist i cili gëzon një formë të mirë sportive dhe për më tepër nuk është një emër i panjohur. Ai është Arsen Hajdari. Mesfushori me tipare sulmuese sezonin e kaluar ka qenë pjesë e kuqebluve megjithatë në fund të tij kaloi disa momente jo të mira dhe nuk u federua me ekipin e parë por kaloi tek ekipi B.
Gjithsesi ai nuk e uli punën dhe ka qenë një nga protagonistët kryesorë të këtij ekipi në të gjitha ndeshjet e zhvilluara dhe madje në ndeshjen e fundit ndaj Besës, ka qenë protagonisti kryesor i fitores me golin e shënuar. Sot Hajdari ka zhvilluar seancën e parë nën drejtimin e Gjokës dhe nesër do të jetë sërish në dispozicion të tij për të treguar vlerat dhe nëse ai e bind trajnerin e ekipit të parë, mund të vazhdojë pse jo të jetë edhe pjesë e këtij ekipi dhe për më tepër që janari po afron dhe mund të ketë të tjera lëvizje tek kuqeblutë.
© shkodrasport.com