Opinion nga Eduard ILNICA. 

Dy ditët e fundit tema kryesore ka qenë sfida mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, e përfunduar me rezultatin 4-3. Aq u komentua kjo ndeshje, saqë dueli direkt për titullin kampion Partizani-Kukësi thuajse u harrua fare. Duke parë 7 golat që u shënuan në Korçë, gabimet e shumta në mbrojtje nga të dyja krahët, natyrisht edhe të portierëve, si dhe përmbysja në limitet e ndeshjes, bëri që shumë sportdashës të dyshonin për një trukim të mundshëm.

Por janë disa arsye që të lënë të kuptosh që kjo ndeshje nuk është e trukuar, edhe pse hije dyshimi mund të ketë. Megjithatë, trukimi, edhe nëse mund të ketë ndodhur, është në rang individësh (futbollistë) dhe jo të përfshirë dy klubet, siç rëndom po flitet. Duhet të sqarojmë diçka, trukimi ndryshon nga tolerimi. Trukimi është kur ekipet apo individët fiksojnë një bast, që mund të jetë me sasi golash (lart poshtë), rezultat final (qoftë dhe me pjesë), dopio shans e shumë alternativa të tjera. Kush ka luajtur baste dhe luan, e kupton mirë këtë.

Së pari, fitorja e Skënderbeut (që ishte rezultati final) kuotohej 1.25. Nëse do të ishin vënë shuma të mëdha parash, me siguri që koeficienti do të ulej ndjeshëm, pse jo, deri në 1.10. Fakti që nuk ka pasur luhatje në kompanitë e basteve (Federbet ka monitoruar, por nuk ka gjetur gjë), do të thotë që nuk janë vënë shumë të mëdha bastesh. Edhe sikur të jenë vënë në kompani ilegale bastesh, nuk besoj se ata që vënë shuma të mëdha, të rrezikojnë aq shumë (goli i fitores është shënuar në sekondat e fundit të ndeshjes). Kur trukohet një ndeshje, ajo duhet të zgjidhet jo në limite, sepse nuk ka garanci.

Po marr një shembull, nëse do të ishin vënë 100 mijë euro, për të fituar 20 mijë euro, a do të kishte rrezikuar kaq shumë Skënderbeu? Kush më garanton mua që do të bëhej penalltia me skenar dhe po me një skenar Latifi do shënonte penallti? Po sikur ta humbiste, topi është kapriçoz nganjëherë…Nuk rrezikohet kurrsesi nëse janë vënë shuma të mëdha parash për disa sekonda. Prandaj quhet trukim, që gjërat bëhen me marrëveshje. E njëjta gjë vlen edhe 7 plus.

Së dyti, duke njohur mirë natyrën e dy trajnerëve dhe karakterin e tyre, as Daja dhe as Cungu nuk do ta ulnin veten të bëheshin pjesë e një kompromisi të tillë. Jo për t’u dalë në mbrojtje, por në biseda me ta, ata nuk e njohin bastin, të paktën individualisht. Cungu shpërtheu ndaj Cicmil sepse është e disata herë që gabon. Po, ky është një rast për të dyshuar, por ndoshta ai lojtar ose është aq aktor i mirë, ose aq din. Por kurrsesi një individ nuk mund të trukojë një ndeshje, besoj këtu biem dakord të gjithë. Në zonë të rreptësisë edhe lojtarë të klasit botëror e kanë prekur topin me dorë dhe ka pasur penallti.

Së treti, që për mendimin tim është edhe më thelbësorja, Skënderbeu këtë sezon është monitoruar dhe po monitorohet nga UEFA. Pas dënimit verën e kaluar, korçarët që nga fillimi i sezonit kanë qenë në shënjestër dhe këtë e dinë në klubin korçar. Duke qenë se Skënderbeu do të luajë sërish në Europë (minimalisht në Europa League), kurrsesi drejtuesit nuk mund të bëjnë një gafë të tillë sa të trukonin tani në fund. Sado të jetë fitimi, qoftë edhe 200 mijë apo 300 mijë euro, logjika të çon se vetëm nga kalimi i një turi dhe pjesëmarrja në Europë i fiton kaq. Nuk mund të rrezikohen 1 milionë euro për të fituar 200 mijë dhe më pas të dënohesh sërish. Është matematikë…

Së katërti, nëse ndeshja do të ishte e trukuar, të jeni të bindur se të dy trajnerët e skuadrave do të kursenin lojtarët që kanë pasur probleme me dëmtimet ose disa të tjerë për t’i mbajtur në formë në ndeshjet pasardhëse. Por jo, të dyja skuadrat luajtën me formacionet më të mira. E përsëris, tolerim edhe mund të ketë pasur në fund, por jo trukim, mos ngatërrohen këto dy koncepte. Por edhe tolerimi, nëse ka ndodhur, ka qenë individual.

Me këto arsye, kurrsesi nuk po përpiqem të mbroj Skënderbeun apo Vllazninë, sepse sa herë që ka pasur dyshime të forta dhe teatër në fushën e lojës, i kam evidentuar, madje kanë qenë kryeartikuj në mediat që kam punuar. Por të bardhës mos t’i themi të zezë apo anasjelltas. Mos dyshojmë sa herë ka një përmbysje rezultati, sa herë ka një gol në limitin e ndeshjes, sa herë ndeshja del sipas parashikimit të disa bastexhinjve, sa herë që shënohen 7 gola apo më shumë. Mos dyshojmë për çdo episod, sepse futbollistët gabojnë, arbitrat gabojnë, ndodh kudo në botë, po i shohim përditë.

Me këto që citova më lart, nuk them që ndeshjet nuk manipulohen, madje rastet sa vihen e shtohen, por jo çdo episod ta lidhim me bastet. Dëgjoj çdo ditë sportdashës, që nga zhgënjimi i humbjes së parave në baste, refreni i tyre është: E shitën! Bastet kanë lindur para futbollit dhe do vijojnë të vihen, por duhet të ndajmë lojën dhe fatin, të ndajmë sportin nga bastet, nëse i përzejmë, atëherë nuk e dimë ç’jemi, bastexhinj apo sportdashës.