Partizani ka kryer ditën e djeshme stërvitjen e fundit në llogari të ndeshjes së sotme ndaj Vllaznisë. Gjatë gjithë javës, trajneri Zekiç është munduar të mbajë skemat e tij sa më hermetike, duke mos lejuar prani mediash gjatë seancave dhe vlerësuar në maksimum këtë përballje me shkodranët.
Gjatë javës Mba dhe Mehmeti kanë arritur të kalojnë problemet e tyre fizike, por janë në dyshim për ta nisur nga minuta e parë për shkak se me siguri do të duhet të ingranohen gradualisht me ritmin e lojës.
Mba ka rreth një muaj pa luajtur, teksa Mehmeti është kthyer në stërvitje me grupin vetëm prej dy ditësh dhe ende nuk është në maksimumin e tij.
Pano Qirko është mungesë e sigurt për këtë sfidë, me Alban Hoxhën, që do të thërritet në apel. Në mbrojtje një mes Koçijan dhe Sotës pritet të luajnë krah Bytyçit, me kroatin disi më të avantazhuar.
Në mesfushë, Maget pritet titullar, gjithashtu edhe Rrapaj e Murataj. Mehmeti është në dyshim, por nëse luan, do të ulte Taipin në stol dhe Maget do të luante pas sulmuesve. Sulmi pritet të përbëhet nga Cara dhe Bintsuka, me Mbanë, që do të ishte gati të luante një pjesë loje.