Vllaznia ka fituar “ndeshjen” e parë me Partizanin. Mesfushori Erald Çinari nuk do të lëvizë nga kuqeblutë. 21-vjeçari ka pasur pas vetes ekipin kryeqytetas, por gjërat kanë ngecur në vendnumëro dhe duket se situatat nuk do të ndryshojnë.

Burime pranë klubit kuqeblu bëjnë me dije për Eduasportin.com se drejtuesit e kuq kanë pasur kontakte me drejtuesit e Vllaznisë në lidhje me mesfushorin Çinari. Të kuqtë kanë dashur lojtarin, por nuk kanë paguar për kartonin e tij. Shkodranët nuk e kanë pranuar këtë opsion dhe ja kanë bërë të qartë kryeqytetasve: Çinari nuk lëviz!

Partizani po zhvillon përgatitjet në Antalia të Turqisë, Çinari në Ulqin me Vllazninë. Arritja e një marrëveshjeje duket shumë e vështirë, pavarësisht dëshirës së të dyja palëve. Lojtari dëshiron të provojë një aventurë të re, ndërsa të kuqtë e mirëpresin, por gjithçka është bllokuar nga drejtuesit shkodran. Ku i dihet, nën zë flitet se ka ndikuar edhe Fushaj për bllokimin e tij… /EDS/