Në këtë kohë, te Vllaznia ra në sy mosprania në stërvitje e golashënuesit më të mirë të sezonit të shkuar të këtij ekipi, Liridon Latifi. “Shkodra Sport” u interesua për të mësuar mungesën e mesfushorit anësor, por tashmë nuk ka gjë për t’u alarmuar.

Pavarësisht zhurmës së krijuar në media për të ardhmen e tij, te Vllaznia kanë qenë të qetë sepse kanë qenë në dijeni të situatës së lojtarit dhe gjendjes së tij shëndetësore.

“Shkodra Sport” mësoi se Latifi ka kaluar Covid-19 dhe i është dashur që të qëndrojë për një periudhë kohore larg ekipit. Megjithatë, Latifi e ka kaluar me sukses këtë problem shëndetësor dhe sonte do të mbërrijë në kryeqytetin e Austrisë, në Vienë aty ku ndodhet Vllaznia dhe do të jetë gati për të mbajtur peshën e shkodranëve në Europë, në fazën sulmuese, së bashku edhe me Vulajn dhe Aralicën.

Problemi i vetëm për sulmuesin anësor të Vllaznisë është vetëm koha që do t’i duhet tani atij për të kapur formën e tij më të mirë. Stafi shpreson shumë që Latifi të jetë në dispozicion që për ndeshjet europiane, por kuptohet që shanset janë të pakta që ai ta nisë si titullar sepse ka humbur shumë seanca stërvitore gjatë kësaj periudhe.
Maringlen ZHIVANI