Ndarja nga jeta pak ditë më parë e ish- futbollistit dhe ish- trajnerit të Vllaznisë Esat Rakiqi, sigurisht që ka qenë një lajm i hidhur për gjithë opinionin sportiv shkodran dhe jo vetëm. Kjo ngaqë kemi të bëjmë me një figurë shumë popullore dhe të dashur për të gjithë. Siç dihet, profesor Esat ka ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për ta sjellë trupin e tij në Shkodër është dashur të kryhen edhe disa procedura të cilat natyrisht që zgjasin disa ditë. Por përveç tyre, problem ka qenë edhe ana financiare sepse kjo gjë kushton shumë.
Shqiptarët e Amerikës ditët e fundit kanë hapur edhe një numër llogarie ku secili mund të kontribuonte për këtë gjë dhe duhet pranuar se të shumtë kanë qenë ata që i janë përgjigjur pozitivisht. Pjesën tjetër të shpenzimeve përveç familjarëve, pritet ta mbulojnë dy ish- futbollistët e Vllaznisë Arvid Hoxha dhe Andi Leli, të cilët i kanë qëndruar pranë profesor Esatit edhe në sekondat e fundit të jetës së tij. Lajmi i fundit që ka mbërritur në orët e mbrëmjes së sotme, është ai se më në fund është rregulluar sjellja e trupit të këtij personaliteti të futbollit në Shqipëri. Familjarët e tij kanë njoftuar sonte se trupi i profesorit do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit mbrëmjen e së enjtes dhe menjëherë do të marrë rrugën drejt Shkodrës. Në qytetin e tij të lindjes pritet që ditën e premte të organizohen edhe homazhet mbi trupin e tij. Bashkia Shkodër dhe KF Vllaznia duket se kanë marrë të gjitha masat për t’ia bërë edhe nderimet e fundit Esat Rakiqit dhe tashmë mbetet vetëm për t’u përcaktuar detajet e tjera në bashkëpunim me familjarët e tij.
© shkodrasport.com