Opinion nga Ardian ZAGANJORI
Mora shkas nga një opinion i një sportdashësi ashtu siç jam edhe unë, që i kërkonte publikisht mjeshtrit Ramazan Rragami të thonte të vërtetën në prononcimet e tij në media. Prandaj edhe unë thashë po shkruaj pak rradhë.Sot filloi borë dhe si pa dashur na u kthye në vëmendje kush jemi, nga kemi ardhur dhe sa mund të qëndroj. Për këtë falenderoj borën pasi sado i fortë dhe i qëndrueshëm të jetë artikulli i zotit Çomo (që për hir të vërtetës është më specialist se disa “Hamza” në ekip), bora qe më e fortë në subkoshiencën time. Pse? Si fillim shoh një ekip që zvarritet në fushë me deshirën e madhe tek Zoti për të luajtur dhe më ngjan me barsaletën e vjetër që “gomarin kur po e hante ujku thoshte me vete: ZOT I MADH BËJE ËNDËRR. Edhe vllaznia e sotme më ngjan se ka vetëm dy të zgjuar dhe të fituar: Menaxherin Vata dhe të kudondodhurin Shaba. I pari për zgjuarsi dhe i dyti për marri. Në këtë binom të “mrekullueshëm”, është shtuar dhe i MADHI Rragami Ramazan i cili pasi ka pasur një karrierë të shkëlqyer si futbollist dhe trajner (ku për arsye parimore përjashtoi nga ekipi kombëtar U-21 nipin e vet Besë Rragamin), pasi e “ndihmoi” Vllazninë disa herë në Komisionin e Disiplinës në Federatë, ka filluar detyrën e këshilltarit- menaxher (nuk ka faj pensionet në Shqipëri janë të ulta) dhe tani duke përfituar nga respekti për këtë figurë (të jem i sinqertë edhe unë e respektoj maksimalisht) në disa emisione televizive po jep disa opinione me të cilat unë nuk jam dakort. Në këtë situatë, unë kam disa propozime që kryetari i Bashkisë dhe n/kryetari z. Ritvan Troshani mendoj se do t’i realizojnë shumë shpejt sa nuk është vonë.1- Menjëherë dhe pa asnjë humbje kohe duhet të mbështesim ekipin e futbollit dhe trajnerin Vata në çdo vendim të tij dhe në fund t’i kërkohet llogari për punën e tij.
2- Të rikthehet menjëherë në krye të klubit si Sekretar zoti Agim Medja si një person që e njeh futbollin edhe në dëborë.
3- Të dërgohet menjëherë si Drejtor Akademie zoti Kujtim Shaba pasi atje situata ka filluar të bëhet alarmante.
4- Zoti Armando Cungu të vendoset pranë ekipit me detyre Drejtor Teknik dhe i zhvillimit të talenteve.
5- Zoti Armir Grima të vendoset trajner i portierave i marëdhënieve me publikun (është djali që dua më shumë në gjithë atë ekip).
6- Të krijohet këshilli konsultativ pranë Kryetarit të Bashkisë me specialista që Shkodrës nuk i mungojne si Çapaliku, Rragami, Bizi, Piraniqi etj.
Dhe e fundit por jo nga rëndësia krijimi sa më shpejt i një komisioni me ekonomistë dhe juristë për përgatitjen e procedurave për PRIVATIZIMIN e klubit si e vetmja rrugë e drejtë ku duhet të shkojmë. Për të gjitha këto që shkrova, e pati fajin dëbora e cila më kujtoi kush jemi, çfarë po bëjmë dhe ku duhet të shkojmë.