
Më shumë sesa për sportin tashmë çdo ditë e më tepër po flitet për politikë sepse zgjedhjet e pushtetit lokal po afrojnë. Pyetja që lind është nëse do ketë njerëz të sportit të cilët do përfshihen në këto zgjedhje? E kemi fjalën për ata që do përfshihen si kandidatë sepse të tjerë që mund të jenë pjesë e partive të ndryshme, mund të jenë të shumtë. Ndonëse ende nuk janë bërë publike listat e këshilltarëve të të gjitha forcave politike (deri më tani vetëm PD e ka shpallur), mësohet se do jenë disa njerëz të sportit që kanë aplikuar për të qenë pjesë e Këshillit të ri Bashkiak të Shkodrës. Tek PS mendohet që në listë të jetë kampioni dhe rekordmeni i atletikës- Oltion Luli. Tek lista e këshilltarëve të LSI mendohet dhe thuhet se pjesë e saj do jetë ish- sulmuesi i njohur i Vllaznisë- Vioresin Sinani si dhe kampioni i boksit Kristian Demaj. Në listën e PBDNJ-së, numri 1 në listë thuhet se është ish- futbollisti tjetër Edi Martini ndërsa numi 3 një tjetër ish- futbollist, Erogen Brajoviç. Ndërkohë, presidenti aktual i Adës Alfred Pjetri mendohet të jetë numri 1 i lisrës së këshilltarëve të Partisë Kristian-demokrate, ndërsa presidenti i ekipit të futbollit të femrave Juban Danja, Ferdinand Jaku, është pjesë e listës së Partisë Demokristiane të Nard Ndokës. Një emër tjetër që do kandidojë në zgjedhjet e 21 qershorit është ai i trajnerit aktual të Adës, Kreshnik Krepit që do të jetë numri 1 në listën e Partisë Demokracia e Re Europiane. Të paktën këto emra kemi arritur të mësojmë dhe mbase mund të ketë edhe të tjerë që do zbulohen pasi listat e partive do të bëhen publike. E rëndësishme është që në mes 51 këshilltarëve të ardhshëm bashkiakë, të ketë edhe njerëz të sportit sepse me zërin e tyre ata mund të arrijnë të përmirësojnë kushtet e stërvitjes dhe pagesat për sportistët e tjerë shkodranë.
Njerëzit e sportit dhe partitë për të cilat do kandidojnë:
Oltion Luli – Partia Socialiste
Vioresin Sinani – LSI
Kristian Demaj – LSI
Edi Martini – PBDNJ
Erogen Brajoviç – PBDNJ
Alfred Pjetri – PKD
Ferdinand Jaku – PDK
Kreshnik Krepi – PDRE
© shkodrasport.com