“Ky modul më jep siguri dhe lojtarët janë përshtatur”, tha mes të tjerash Edy Reja, trajneri i kombëtares shqiptare, i cili ka ende ndonjë dilemë mbi ata që do të zbresin në fushë në ndeshjen e sotme të Nations League kundër Kazakistanit, që luhet prej orës 18:00 në “Air Albania Stadium”.

Kundër Kosovës italiani bëri disa eksperimente dhe ata që e kanë bindur janë Albi Doka dhe Myrto Uzuni, të cilët me shumë mundësi do të jenë titullarë kundër Kazakistanit. Ka edhe ndonjë ide për Manajn në vend të beratasit, por goli dhe asisti kundër Kosovës nuk mund të anashkalohen.

Në mbrojtje rikthehen Gjimshiti e Ismajli, ndërkohë që ka një vend edhe për Veselin. Ashtu sikurse te Napoli, Elseid Hysaj pritet të pozicionohet në linjën e majtë. Një lëvizje e bërë edhe prej mungesave që ka trajneri Reja në atë pozicion.

Në mesfushë Abrashi e Gjasula janë të paprekshëm, ndërkohë që rikthehet pas disa muajsh Ledian Memushaj. Në sulm, veç Uzunit favorit, pritet të luajë Sokol Cikalleshi. Sulmuesi kavajas mungoi kundër Kosovës për shkak të një problemi fizik, por tani është gati, sikurse edhe Armando Broja.

SHQIPËRIA, formacioni i mundshëm (3-5-2): Berisha – Ismajli, Gjimshiti, Veseli – Doka, Gjasula, Abrashi, Memushaj, Hysaj – Uzuni, Cikalleshi. Trajner: Edy Reja