Vllaznia ka marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat dhe ia ka dalë ta bëjë një gjë të tillë në një transfertë të komplikuar siç është ajo e Korçës, përballë Skënderbeut vendas. Shkodranët kanë mundur korçarët me shifrat 1-0 falë një goli të Shtubinës me roveshatë në pjesën e dytë.

Ka qenë një fitore e merituar për ekipin shkodran që e sheh veten të largohet nga zona e rrezikut në renditje, duke zhytur atje pikërisht skuadrën e Dajës që regjistron dy humbje radhazi. Shkodranët kontrolluan lojën duke mos lejuar raste të rrezikshme nga kundërshtarët e duke thumbuar herë pas here portën e Koliçit.

Ekipi vendas krijoi shumë pak në këtë duel dhe largohet nga fusha kokulur, duke vazhduar një javë të vështirë që nisi si mos më keq me bojkotin për rrogat e që tani e sheh këtë skuadër të rrezikojë në zonën e ftohtë të klasifikimit.

Skënderbeu-Vllaznia 0-1
66′ Shtubina

SKËNDERBEU: Koliçi, Meksi, Pollozhani, Pëllumbi, Ndeki (46′ Elezi), Taipi (71′ Mara), Esien (78′ Oto Xhon), Daja, Gripshi, Bregu, Krasniqi.
Trajner: Ilir Daja

VLLAZNIA: Sherri, Gurishta, Malota, Shehi, Ulusimbi, Ramadani, Krymi, Marku, Gligorov (90’+1′ Kruja), Lika (85′ Bardulla), Shtubina (80′ Pusi).
Trajner: Mirsad Jonuz