Skënderbeu nuk duhet nënvlerësuar kurrë. E provoi këtë edhe Kukësi në ndeshjen e fazës së tretë, teksa në shtëpinë e tyre nuk ia dolën të fitojnë, edhe pse shënuan dy herë në pjesën e parë, ndërkohë që mungonin Bajram Jashanica, Orges Shehi dhe Sabien Lilaj.

Qendërmbrojtësi nuk është rikthyer ende pas operimit në gju, ndërkohë që pritet edhe vendimi i UEFA-s për shkak se futbollisti I Kosovës ka dalë pozitiv në testin anti-doping pas ndeshjes me Young Boys.

Portieri Orges Shehi gjithashtu ka probleme me gjurin. Durrsaku u dëmtua në ndeshjen me Luftëtarin dhe do të mungojë edhe për disa kohë.

Sabien Lilaj është shqetësimi i fundit per trajnerin Daja, që nuk do ta ketë mesfushorin në ndeshjen me Vllazninë, në çerekfinale të Kupës me Flamurtarin, por edhe në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë me vlonjatët. Me shumë mundësi Lilaj mund ta humbë edhe atë të kthimit.

Të gjendur në këtë situatë, dhe me Takun që është larguar nga korçarët, ky është momenti më i mirë për rivalët për të ngritur kokë ndaj Skënderbeut. Që të tre këta lojtarë janë shtyllat e formacionit të bardhekuqve dhe mungesa e tyre sigurisht që do të ndikojë.

Vllaznia i ka pikët jetike të shtunën, ndërkohë që e njëjta gjë vlen edhe për Kamzën, e sidomos për Flamurtarin, që dëshiron të marrë një rezultat të mirë  në Kupë.

Gjithsesi nuk duhet harruar se Skënderbeu ka mjaftueshëm alternativa, pasi në mbrojtjen luan Aliti, edhe ky futbollist i Kosovës sikurse Jashanica, ndërkohë që në mesfushë lojtarë si Nimaga, Dita, Osmani, Vila dhe Muzaka e bëjnë ekipin e Dajës të fortë.

Testi i së vërtetës është për portierin Aldo Teqja, që në këto ndeshje do të ketë mundësinë të tregojë se Skënderbeu nuk ka nevojë të gjejë një zëvendësues për Orges Shehin sezonin e ardhshëm futbollistik. /EDS/