FC Barcelona ka prezantuar një stemë (logo) të re, që do të përdoret duke filluar nga sezoni 2019-2020, në pritje të miratimit të anëtarësisë së klubit. Ndryshimi më i madh për Blaugranët do të jetë largimi i shkronjave “FCB”, që aktualisht janë të dukshme në logon e klubit.

Ndryshimet e tjera janë më delikate dhe përfshijnë heqjen e vijave të zeza brenda stemës, reduktimin e vijave “blaugrana” nga shtatë deri në pesë, ndriçimi i disa prej ngjyrave dhe topi do të jetë më i dukshëm.
Ndryshimi është miratuar tashmë nga Bordi i Drejtorëve, por duhet të ratifikohet nga anëtarësia e klubit në Asamblenë e Delegatëve, më 20 tetor, për ta bërë atë zyrtar. Nëse aprovohet, do të jetë hera e parë që Barcelona e ndryshon logon e saj që nga viti 2002.

Gjithashtu, do të jetë hera e parë që nga viti 1910, që “CFB” dhe “FCB” nuk figurojnë në stemën e klubit. “FCB” ishte e pranishme në distinktivin e klubit nga viti 1910 deri më 1941, më pas u vendos “CFB” në stemë, nga viti 1941 deri në vitin 1974.
Gjatë mbretërimit të Franco, klubi duhej të braktiste emrin e “Futbol Club Barcelona” në favor të “Club de Futbol Barcelona”, kështu që në ato vite Barcelona përdorte “CFB” dhe jo “FCB”.