I emocionuar, nuk mund të ndodhte ndryshe. “Eshtë ëndrra e të gjithë trajnerëve të bëhen trajnerë të përfaqësuese dhe tani kam ardhur në momentin e duhur për të ndërtuar diçka dhe për ta ngritur Italinë atje ku i takon, duke synuar fitoret.”

Roberto Mancini e nis në këtë mënyrë aventurën “e kaltër” në ditën e parë në Coverciano, gjatë një konference për shtyp ku jep të dhëna të vogla për planet e tij: “Do të thërras Balotelli, ndërsa më duhet të flas me Buffon dhe De Rossi.”

– Cilat janë ndjesitë e para?

– Jam shumë i emocionuar. Të jesh trajneri i kombëtares nuk ndodh çdo ditë. Jam i lumtur, krenar dhe i emocionuar. Ka qenë zgjidhja e duhur dhe faktikisht shumë e lehtë për mua. Falënderoj të gjithë ata që më kanë dashur këtu dhe të gjithë trajnerët që gjatë karrierës time dhe më kanë ndihmuar për t’u rritur.

– Keni preferuar kombëtaren para një klubi…

– Të bëhesh trajner i kombëtares është një arsye krenarie. Eshtë maksimumi i dëshirave të çdo trajneri. Në karrierën time ka pasur momente dhe periudha të ndryshme. Stërvis ekipe prej shumë kohësh, mendoj se ka ardhur momenti i duhur. Fakti që nuk do të jemi në Kupën e Botës në Rusi është diçka e vështirë. Ishte një nga momentet që mendova se mund të bëja diçka për vendin tim.

– Ka dy emra që po qarkullojnë: Pirlo si zv.trajner dhe Mario Balotelli si sulmues.,,

– Gjëja më e bukur është që te kombëtarja nuk bëhet merkato. Kështë nuk do të flasë për blerje apo shitje, por do të përpiqem të grumbullojë gjithmonë futbollistët më cilësor. Mario Balotelli është italian, do të flas me të dhe ka shumë mundësi që ta grumbulloj. Duam ta shohim sërish në maksimumin e mundshëm, si në Euro 2012. Ka shumë futbollistë që do të më duhen. Me Pirlon kam folur. Do ta takoj sërish. Të shohim se çfarë mund të bëjmë.

– Cila ka qenë marrëdhënia juaj me kombëtaren. Çfarë trajneri doni të jeni?

– Marrëdhënia ime me përfaqësuesen ka qenë e gjatë. Kam pasur si trajnerë Bearzot, Vicini dhe Sacchi. Nuk kam pasur shumë fat, kjo është e vërtetë. Dua të jem një trajner i aftë dhe të rikthejë Italinë në majën e Europës. Dua të jem ai që do ta kthejë këtë kombëtare në nivelet më të larta.

– Do të jeni më shumë një seleksionues apo trajneri?

– Nëse Italia ka fituar katër herë Kupën e Botës do të thotë se mund të jesh i suksesshëm dhe pa i stërvitur lojtarët çdo ditë. Edhe tani, në këtë moment krize, ka shumë futbollistë të aftë dhe mund të ndërtojmë një ekip shumë të mirë.

– A është Buffon në planet tuaja?

– Do të flas me të. Do të mendojmë për ndeshjen në Torino më 4 qershor.

– Do të bindi klubin se kombëtarja është e rëndësishme?

– Ata e dinë që kombëtarja është e rëndësishme dhe eliminimi nga Kupa e Botës ka qenë një zi për të gjithë. Mund t’i ndodhë të gjithëve një moment kaq i vështirë. Duhet të kemi respekt për klubet dhe futbollistët, që luajnë shumë ndeshje në harkun e një sezoni. Në momentin e grumbullimit, logjikisht mund të lihen pushim futbollistët që janë më të lodhur. Ndonjëherë mund të lihet pushim dikush, jo detyrimisht duhet të grumbullohen të gjithë.

– Eshtë sfida më e vështirë e karrierës tuaj?

– Nëse nuk fiton në klub, atëherë tërbohen tifozët e skuadrës ku punon, ndërsa nëse nuk fiton me Italinë tërbohen dhe mërziten 50 milionë njerëz. Do të ishte një kënaqësi unikale nëse do të jem i suksesshëm.

– Do dini t’i keni të gjithë nga ana juaj?

– Eshtë e vështirë që një trajner të jetë dakord me të gjithë. Çdo tifoz ka mendimin e tij. Shpresoj të jem trajneri që mund të rikthejë Italinë te suksesi. Vetëm të bashkuar mund t’ia dalim.

– Moduli dhe taktika…

– Duhet të njoh disa futbollistë që aktualisht nuk i njoh shumë mirë. Do të përshtatem me cilësitë e tyre dhe më pas do të vendosim modulin më të mirë për të mirën e kolektivit.

– Çfarë mendoni për “zboret”. Do të ketë të tillë te kombëtarja juaj?

– Vetëm nëse do të jetë e mundur dhe kryesisht me futbollistë të rinj, që t’i njoh më mirë. Futbollistët luajnë shumë ndeshje në harkun e një sezoni dhe udhëtojnë shumë. Duhet të gjejmë sa më shpejtë një bazë për ekipin, tek të cilët do të bazohemi. Më pas do të nisim të mendojmë për rotacionin në pozicione të ndryshme.

– Ata që kanë punuar në postin tuaj janë përfshirë dhe në zgjidhjet e bëra nga U-21. Do të merreni me këtë punë, apo do të jeni të përqendruar vetëm te kombëtarja “A”?

– Unë mendoj se trajneri ka detyrën të qëndrojë pranë ekipeve kombëtare të moshave. Çdo skuadër ka trajnerin e saj dhe nuk mund t’i shqetësoj, vetëm t’i ndihmoj dhe të ndjekë futbollistët e zgjedhur prej tyre. Padyshim që do të shoh të gjitha ndeshjet e kombëtares U-21.

– Një mesazh për tifozët dhe tre koncepte që do t’i kërkosh lojtarëve…

– Na takon neve që t’i afrojmë tifozët me kombëtaren. Kur Italia fiton njerëzit i qëndrojnë më pranë. Përkushtim dhe punë janë gjërat që do të kërkoj, por futbollistët janë seriozë. Kush do të vijë në kombëtare do t’i duhet të nxjerrë nga zemra të gjitha ëndrrat që ka. Kur një futbollist i ri sheh kombëtaren në televizion dhe bën tifo dhe ëndërron që një ditë të jetë pjesë e saj. Kjo duhet t’i shërbejë si shtysë atyre që do të luajnë.

– Krahas jush, nga Rusia është kthyer edhe Criscito. Do ta grumbulloni?

– Te kombëtarja ime do të ketë hapësirë për të gjithë ata që do të luajnë mirë me klubet e tyre. Mosha, padyshim që ka rëndësi. Criscito është akoma në 100% të mundësive të tij dhe unë mendoj se është i aftë.

– Po De Rossi, do të flisni edhe me të?

– Ashtu si Buffon, ai i ka dhënë shumë kombëtares. Do të flas dhe do të kuptoj se cili është synimi i tij. Futbollistët që do të jenë në gjendjen më të mirë do të grumbullohen nga unë.

– Në fund, si mendoni është më mirë të fitosh apo të luash mirë?

– Idealja është që një ekip të fitojë duke luajtur mirë. Ne do të përpiqemi të kemi sa më shumë futbollistë të aftë teknikisht për të luajtur një futboll të bukur./telesport/