Opinion nga Redan BUSHATI
Kam lexuar se Vllaznia në ndeshjen e neserme me Besen do te aktivizoje nje formacion me te gjithe futbollistet e rinj. Nëse ky është një vendim që rrjedh nga koka e teknikut Bushati, duhet pranuar, pasi ai do të ndërtojë Vllazninë e sezonit të ri. Nëse ky vendim ka ardhur si rezultat i një “urdhri nga lart”, atëherë kështu ndotet futbolli. Ndonëse ky i yni është i përbaltur, sërish kjo nuk e lejon një ekip me tradita të tilla si Vllaznia të bëhet pjesë e zullumit.
Sa i përket a duhet të luajnë futbollistët e rinj në këtë ndeshje apo jo, më duket një vendim më se i drejtë. Vllaznia ka dalë nga çdo objektiv i mundshëm në kampionat. Sezoni për të ka mbaruar. Kjo s’do të thotë se ajo duhet të lëshojë ndeshje, por është një periudhë e bukur dhe e favorshme që ajo të mendojë më gjerësisht për sezonin e ri, 2013-2014. Promovimi i futbollistëve të rinj është në dinjitetin dhe të ardhmen e sigurtë të Vllaznisë. Shumë talente janë përbuzur apo marrë në qafë. Megjithatë, Shkodra është si Brazili, ku prodhon me shumicë të jashtëzakonshme futbollistë, jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi. Kësisoj, angazhimi i futbollistëve të rinj do të rriste sigurinë e tyre, afrimin me ekipin e parë dhe nisjen e një karriere, që ato aq shumë e meritojnë, profesionale. Ka djem që luajnë në Kategorinë Superiore, të Parën dhe të Dytën, sa po t’i mbledhësh bëjnë thuajse 4-5 formacione. Kjo nuk është pak dhe këtë e bënë vetëm një pasuri e tillë si Shkodra, ku fëmija sapo lind, para se të mësojë të thërras “baba” a “mama”, shkelmon topin e futbollit.