Shënojnë gjithmonë, në të gjitha kompeticio net. Forca e Lautaro Martinezit dhe Romelu Lukakut është edhe kjo dhe tradita po vazhdon tek Interi. Mbi të gjitha për bomberin belg. Me dy golat e realizuar të martën në mbrëmje në 1/8-at e Kupës së Italisë kundër Kaljarit, numri 9 zikaltër ka arritur në kuotën 13, duke vendosur firmën në turneun e 13-të që ka marrë pjesë, mes klubeve dhe kombëtares.
Nga Botëroret te Jupiler Pro Liga, nga Liga e Kampionëve te Kupa FA: për Romelun nuk ka diferencë, sepse nuk ka mbetur kurrë thatë (edhe pse në Kupën e Belgjikës ka shënuar vetëm te penalltitë në sfidën La Luvier-Anderleht, duke vendosur sfidën kur ishte vetëm një adoleshent).
Është konfirmimi i radhës që Romelu është një sulmues me superfuqi, që bind kudo. “San Siro”, i falënderuar me përulje pas çdo goli, është shndërruar në fortesën e tij menjëherë. Gol në debutim kundër Leçes, më pas 17 të tjerë në 24 ndeshjet e mbetura deri tani.
Një total monstruoz, që brenda pak kohësh ka bërë të harrohet Mauro Ikardi. Lukaku u pagua 65 milionë euro plus 10 bonuse: Italia e ka rritur akoma më shumë vlerën e tij, që sot u afrohet shumë 80 milionëve. Një thesar i vërtetë, pra, që pëlqehet sepse luan shumë edhe për skuadrën. Dhe shënon. Jo pak.
ASKUSH SI DYSHJA NË SERINË A – Duke qëndruar tek Interi, gjatë 10 viteve të fundit vetëm Samuel Eto është paraqitur më mirë se ish-sulmuesi i Mançester Junajtid pas 25 ndeshjeve të para sezonale. Kamerunasi, në sezonin 2010- ’11, një vit pas “tripletës” së Murinjos, arriti në kuotën 21 gola në këtë pikë të sezonit. Belgu ka barazuar Ikardin e edicionit 2017-’18, viti i parë i menaxhimit të Spaletit, Mauron e sezonit 2016-’17 (17 gola) dhe Lautaron, këtë vit në kuotën 15.
Duke qëndruar te ky i fundit: Lu-La këtë vit vazhdon të synojë rekorde. Janë e vetmja dyshe në të gjithë Serinë A në kuotë dyshifrore golash dhe e vetmja që ka përqindjen më të lartë (55%) të goditjeve në portë gjatë këtij kampionati. Megjithatë, për momentin është Romelu ai që po fiton kopertinat: në katër ndeshjet e fundit ka realizuar plot tri dopieta (kundër Xhenoas, Napolit dhe Kaljarit), shenjë që lodhja nuk është pjesë e ADN-së së tij.
E megjithatë është gjithmonë në fushë: Konte nuk heq dorë praktikisht kurrë prej tij dhe duke nisur nga tetori, numri 9 ka regjistruar 14 ndeshje nga 18 me 90 minuta të luajtura. Ndër të tjera nuk duhet harruar që është goleadori i të gjitha kohërave në kombëtaren e Belgjikës, me 51 realizime. Tani objektivi është të përmirësohet në Kupën e Italisë dhe Serinë A: vetëm Najers, Amadei dhe Kuarezima kanë shënuar më shumë se ai në debutimin zikaltër në kampionat.