Ze Maria është i huaji i vetëm në Kategorinë Superiore. Edhe ai me valixhe në dorë. Opinioni i përgjithshëm është që trajnerët që vijnë nga jashtë dështojnë në Shqipëri sepse nuk e njohin futbollin tonë, nuk janë fort të përgatitur apo u duhet më shumë kohë, element që presidentët e klubeve shqiptare e nënvlerësojnë.
Por ka edhe nga ata si Jani Kaçi që mendojnë të kundërtën. “Trajnerët e huaj janë shumë më të zotë, punojnë me programe serioze, por ata nuk përshtaten dot me poshtërsitë tona këtu”, thotë legjenda e futbollit korçar për “Panorama Sport”.
Nuk është vetëm kaq. Në një analizë të detajuar, ai prek problemet që ka me përgatitjen e të rinjve, mënyrën se si licencohen trajnerët e rinj, shkollimin që kanë ata dhe mendjelehtësinë, me të cilën veprojnë presidentët e klubeve kur bëjnë zgjedhjet në stol.
Ish-portieri i Kombëtares thotë gjithashtu se futbolli jonë jo vetëm që ka mungesë cilësie dhe shpesh njolloset nga qokat apo miqësitë, por trazohet edhe nga ndërhyrjet politike.
Sipas Jani Kaçit, stadiumet janë bosh sepse futbolli ynë nuk të josh, nuk të shijon. “Nuk mund të justifikohen me frazën ‘njerëzit janë në punë’. Tani as punë nuk ka më. Por, thjesht u shijojnë më shumë kafet sesa futbolli, sepse cilësia e tij është e dobët”.
Kaçi, ky është ndoshta viti i trajnerëve të rinj. Nëse sheh klubet e Superiores, dominojnë trajnerët e rinj në moshë. A është ky një ogur i mirë për trajningun në Shqipëri?
Trajnerët shqiptarë punojnë pa program. Unë kam punuar edhe me të huaj, edhe me shqiptarë, por këtu punojnë pa program.
Dakord, por koha ka treguar se të huajt nuk kanë mundur të fitojnë, apo të përshtaten. Janë të shumta rastet kur ata kanë ikur me dështim…
Jo, mo jo, kjo është teori e jona këtu. Trajnerët e huaj janë shumë më të zotë, punojnë me programe serioze, por ata nuk përshtaten dot me poshtërsitë tona këtu.
Pse e thoni këtë?
Sepse kjo është e vërteta. Pse iku Bariç? Pse iku Dosena? Pse ikin të gjithë ata të zotët dhe ne nuk gjejmë dot një shpjegim logjik? Sepse ata janë profesionistë dhe dinë ta bëjnë në mënyrë rigoroze punën e tyre. Lojtarët tanë nuk përshtaten dot me ta.
Pse nuk përshtaten dot?
Sepse duan të punojnë dhe të ecin me miqësira, me shoqëri… Po nuk ecet kështu. Të huajt nuk e njohin këtë pjesë, njohin futbollin, njohin profesionalizmin. Nëse je i zoti dhe punon si profesionist, ata të hapin dyert dhe të japin meritën, nëse nuk je i tillë, ata të nxjerrin jashtë.
Çfarë duhet të ndryshojë sipas jush?
Dëgjoj trajnerë të ndryshëm në studio të ndryshme dhe mbajnë fjalime. Por harrojnë të gjithë se nëse futbolli është këtu ku është, kjo ndodh sepse te ne bëhet një punë e dobët me trajnerët.
Nga moshat deri tek ekipet e mëdha. Sot ka trajnerë që janë me 8-vjeçare dhe meqë kanë luajtur futboll, do bëhen detyrimisht edhe trajnerë.
Dalin në televizor dhe e “shesin” veten në televizor. Jo mor zotëri jo, trajnerët duhet të “shiten” në fushë. Aty duket, nëse je trajner ke aftësi apo nuk je për atë punë.
Dakord, por çfarë mund të ndryshojë?
Ne trajnerët u themi lojtarëve: po e latë stërvitjen një ditë, ajo u lë një javë. Po e latë një javë, ajo u lë një muaj dhe po e latë një muaj, ajo u lë një vit mbrapa.
Me një vit mbrapa je pothuajse i djegur. Kjo vlen edhe për ne trajnerët. Po e le profesionin, të lë edhe ai. Tani çfarë ndodh? Ka disa trajnerë që ikin nga një klub dhe pastaj fillojnë të dalin në televizione dhe në gazeta.
Rrinë aty për muaj të tërë apo edhe për vite… Unë jam trajner vetë dhe e di mirë se një ditë po nuk dole në stërvitje, më pas përton edhe të zhvishesh. Prandaj, trajner i mirë është ai që punon edhe me moshat, punon edhe me skuadra jo fort me emër, por ama është në aktivitet. Ushtrohet, përmirësohet dhe lexon që të mësojë sa më shumë. Jo kështu…
Pse mendoni se kemi trajnerë të papërgatitur në këtë moment?
Sepse trajner tani bëhesh pa pasur asnjë njohuri, asnjë eksperiencë. Paguaj ato lekët edhe kaq. Unë kam punuar edhe këtu në Korçë me një trajner grek.
Me program punonte edhe ai. Ku punohet pa program, në cilin vend të botës? Ne kemi bërë edhe ekonomi more dhe e dimë se një gjë që planifikohet quhet punë, ndërsa një gjë që nuk planifikohet nuk quhet punë…
Kaq, është e thjeshtë. Po këtu është edhe problemi i klubeve, që i lejojnë trajnerët që të punojnë pa një program.
Mund të jeni më i qartë?
Nuk ka specialistë klubi apo komision teknik që t’i kërkojë trajnerit në një moment të caktuar: ku e ke programin dhe ku po e çon skuadrën pa program?
Këto gjëra janë bërë që në kohën e Enverit, ndërsa tani çuditërisht i zhdukin. Pastaj themi kemi trajnerë të rinj ose të vjetër, por i kemi të mirë. Më të mirë se të huajt. Po a ka logjikë kjo?
Pse mendoni se trajnerët dikur ishin më të zotë se tani?
Atëherë bëheshin seminare të posaçme teorike dhe praktike për të kontrolluar edhe gjendjen se ku ishim dhe çfarë bëhej me trajningun. Kurse tani hiç fare, hajde merri me radhë. Po i eci trajnerit të radhës mirë, por nuk i eci, hajde tjetri.
E keni fjalën në tërësi apo më së shumti te trajnerët e moshave?
Te moshat si fillim. Fushën e ndajnë në 1/32-ën atje me kalamajtë, se fillon që me fëmijët ky problem, edhe pastaj themi pse nuk kemi talente të formuar mirë. Po a pyesim ne ndonjëherë se me kë stërviten fëmijët?
Çfarë kualifikimesh kanë ata që e bëjnë këtë punë? Jo, ne thjesht i lëmë brezat të stërviten nga disa mediokër dhe nuk kuptojmë dëmin që është bërë dhe po u bëhet brezave të ndryshëm. Prandaj, edhe futbolli jonë është në këtë derexhe. Nuk shkon njeri as në stadiume.
Po presidentët çfarë bëjnë, sepse klubet nuk janë më as ndërmarrje bashkie, por janë pronë private?
Aq njohuri kanë edhe presidentët. Një mendje është e paplotë, shumë mendje bëjnë një mendje të shëndoshë. Kush i zgjedh trajnerët? Vetëm presidenti… Që këtu fillon problemi.
Ka trajnerë që iu thonë personave pranë klubit “thuaj presidentit të më marrë mua”. E fiton vendin e punës ai në këtë formë dhe kur dështon pastaj presidenti u ankohet atyre që ia sugjeruan: “Ku ma gjetët këtë, se më prishi ekipin…?”. Pse?
Sepse nuk ka më as komisione teknike në klub, as struktura të posaçme dhe as njerëz të profilizuar, me të cilët mund të konsultohesh para se të marrësh një vendim të rëndësishëm.
Por, siç punojnë trajnerët pa programe, edhe shumica e presidentëve punojnë pa programe. Po, ka edhe ndërhyrje nga politika.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Ky është realiteti në Shqipëri. Kur dominon e majta, hanë bukë ata trajnerë që kanë lidhje në atë krah, kur dominon e djathta dalin ca të tjerë. Bëhen gjërat apriori pra, pa baza.