“Tani do të duket se kush e do vërtet Skënderbeun”. Kështu deklaronte legjenda e futbollit korçar, Jani Kaçi, kur KAS-i i Lozanës hodhi poshtë kërkesën e Skënderbeut për të marrë pjesë këtë edicion në Ligën e Kampioneve.
Pas largimit të trajnerit Ilir Daja, i cili në fakt disa herë kishte shprehur besnikërinë e tij edhe nëse vendimi do të ishte negativ për Skënderbeun, situata u bë e nderë, pasi lojtarët më të rëndësishëm të korçarëve në sezonin e kaluar nuk janë më pjesë e ekipit.
Ali Soue iku pasi i përfundoi huazimi, Xhejms Adeniji, Enis Gavazaj dhe Suad Sahiti u shitën nga klubi, ndërsa Gledi Mici, Sabjen Lilaj dhe Tefik Osmani, pas përfundimit të kontratës, nuk preferuan të vijojnë karrierën me Skënderbeun.
Nga korçarët, Lilaj ishte i pari që u largua mes polemikave, madje i kujtoi borxhet presidentit Takaj. Ndërsa Osmani, pasi priti dy muaj, vendosi të vijonte karrierën te Teuta, aty ku gjeti mikun e tij, ish-kapitenin legjendar, Bledi Shkëmbi.
I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Jani Kaçi foli ekskluzivisht për situatën në Korçë, duke iu referuar edhe lëvizjeve më të fundit.
Ai mendon se ata që kanë lënë në baltë Skënderbeun u ka munguar morali dhe karakteri. Sipas tij, prej vitesh futbolli në Korçë është i pabesueshëm, por tifozët nuk duan që ta kuptojnë këtë.
Zoti Kaçi, pas vendimit të KAS-it deklaruat se tani do të shikohet se kush e ka dashur vërtet Skënderbeun. Trajneri dhe disa titullarë janë larguar, cili është komenti juaj?
Është momenti të flasim troç. Kur futbollistët deri pak muaj më parë trajtoheshin në Korçë me të gjitha vlerat morale, materiale dhe sportive, betoheshin për Skënderbeun se do të ishin të përjetshëm.
Mirëpo, pas tronditjes që pësoi klubi, të gjithë e harruan atë patriotizmin e madh. Secili shkoi sipas interesave të veta. Në sport karakteri dhe morali janë gjithçka, por këtu te ne këto nuk ekzistojnë.
Të gjithë e pranojnë se punojnë për të marrë lekë, por te Skënderbeu nuk ishte problemi se këtyre që u larguan u mungonte paraja.