Jani Kaçi gjithë karrierën e tij ka qenë portier, por kur vendos të “vishet” si sulmues, mund të shkaktojë tron ditje të forta. Ai ngre alarmin se futbolli dhe sporti në tërësi nuk janë në rrugën e duhur dhe treguesi më i mirë sipas legjendës korçare janë shkallët e stadiumeve bosh.
“Njerëzit nuk janë budallenj. Kur ka cilësi dhe ndershmëri, stadiumet janë plot”, thotë Kaçi për “Panorama Sport”. Ish-futbollisti i shquar i Kombëtares lëshon sinjale të forta edhe për Tiranën. “Kam dëgjuar që duan ta rrëzojnë Tiranën se kanë interesa për të ndërtuar kulla. Nëse kjo është e vërtetë, i bie që kemi prekur fundin”, thotë Jani Kaçi.
Si ju duk ky sezon?
Futbolli për aq kohë sa shkallët janë bosh, atëherë merre me mend se çfarë futbolli është…
Pse janë shkallët bosh?
Shkallët bosh janë se nuk ka cilësi. Cilësia më pas vjen nga mungesa e organizimit. Ja, po ju them se para pak ditësh po bisedoja me një shok dhe e pyeta: ‘Si ka mundësi që të ngjallet nostalgjia e para shumë viteve vetëm sepse sot nuk ka organizim…? Si ka mundësi more që në atë kohë kishte më shumë organizim…?’
Çfarë gjërash keni dëgjuar?
Kam dëgjuar që duan ta rrëzojnë Tiranën se kanë interesa për të ndërtuar kulla. Nëse kjo është e vërtetë, i bie që kemi prekur fundin. Por, çfarë nuk pret nga këta. Këta nuk kanë turp, sepse për një plesht djegin jorganin… Ne dikur kemi pasur 20 lloje sportesh në Korçë, ndërsa sot nuk ke më kaq larmishmëri.
Unë këtu pashë një sportist, një djalë me dhjetëra medalje në qafë, por i paevidentuar. Pse? Sepse nuk ka shef klubi këtu. Shefi i klubit ka hotele, ka kopshte, ka biznese, por nuk e ka mendjen te sporti. E pse ndodh kjo? Sepse e ka vendosur politika aty ku është. Tani kanë filluar të lëvizin, por jo për sportin, thjesht për të mbledhur njerëzit në mitingje. Asnjë nga këta nuk duan t’ia dinë për sportin. Fare.
Por sportin i bie mendja vetëm atij që i ka dhembur kurrizi, ndërsa këtyre nuk u bie në mend dhe kjo është fatkeqësi e madhe. Shoh disa fytyra në ekrane që dalin e flasin për sportin që nuk i njoh hiç, as ata nuk më njohin mua dhe shokët e mi që janë marrë me sport. Ja, në këtë pikë kemi arritur. Kur shkoj ndonjëherë në evenimente sportive më pyesin: “Po ti çfarë je?”