Katër penallti të padhëna në një ndeshje janë shumë. Mirëpo, për të gjithë zhurmën që është krijuar në opinionin sportiv, disenjatori Sokol Jareci, për “Panorama Sport” deklaron se vetëm dy prej tyre mund të merren në konsideratë.
Gjatë fjalës së tij, trajneri i xhaketave të zeza, përgjigjet për numrin një të klubit Partizani me argumentin se nuk mund të bëjë analizë teknike të ndeshjes për një akuzë dhe ofendim.
I pyetur për rrëfimin dhe analizën e ish-kolegut me stemën e FIFA-s, Lorenc Jemini, rezervohet dhe nuk polemizon. Jareci tregon për gazetën se arbitrat merren në telefon, kërcënohen dhe se strukturat e arbitrimit po i mbrojnë nga… presidentët e klubeve.
Jareci, si ka qenë arbitrimi këtë sezon sipas jush?
Arbitrimi në gjykimin tim dhe tuajin, ka qenë shumë i mirë.
Unë nuk jam kaq i sigurt, përkundrazi…
Shikoni, gjykimi, jo vetëm sot por edhe në të shkuarën apo edhe në të ardhmen me gjithë përfshirjen e sistemit VAR, do të ketë problematikat e veta. Asnjëherë nuk do të jemi maksimalisht të saktë, për të vetmen arsye se i tillë është profesioni. Për faktin se ka vendimmarrje të pasakta në fushë, FIFA ka licencuar sistemin VAR për t’i minimizuar.
Çfarë menduat kur patë ndeshjen e Kupës mes Laçit dhe Partizanit?
Në lidhje me rastet, për mua vetëm rasti i parë është penallti, momenti i minutës së 32-të, me protagonist mbrojtësin Ignjatoviç. Por, edhe ajo e riparë disa herë në monitor sepse në fushë është shumë e vështirë sepse nuk bëhet fjalë për ndërhyrje standard, ku një lojtar ka topin dhe ndaj tij ndërhyhet. Rastet e tjera, nuk merren në konsideratë në lidhje me ndëshkimin me penallti. E them me bindje.
Jeni i sigurt, që tri rastet e tjera nuk janë?
Në rastin e dytë kemi të bëjmë me një dyluftim trup më trup. Prapë Ignjatovic me lojtarin e Partizanit, në mos gaboj Murataj. Kemi të bëjmë pastaj me një heqje topi të lojtarit të Laçit, i cili ndërhyn i pari te sfera, dhe pastaj është Çinari që godet këmbën e lojtarit të Laçit. E fundit është vendosja e dorës së lojtarit të Laçit, në trupin e lojtarit të Partizanit ku edhe ky vendos dorën e vet. Pra mund të themi, që mund të ishte një faull në favor të Partizanit. Por, u bë mirë që u dha vazhdimi i lojës.
Në opinionin sportiv, 4 penallti u konsideruan flagrante të padhëna…
Flasim për interpretime të njerëzve që ndoshta nuk kanë begraundin ose informacionin e duhur për të vendosur për situata ku mund të thonë fjalën e tyre vetëm specialistët. Nuk janë situata të thjeshta, janë të vështira që kërkojnë interpretim.
A pati lëvizje nga klubi i Partizanit drejtuar sektorit të arbitrimit?
Jo. Klubi i Partizanit, si shumë të tjerë, është ndër më korrektët. Këtë herë ka qenë një zhurmë e madhe sepse kanë qenë disa raste në një ndeshje, jo vetëm një. Edhe ndoshta edhe zemërimi i tyre ka qenë më i madh se në herët e tjera. Por, edhe në raste të tjera edhe më të rënda, nuk ka pasur asnjë lloj kontestimi zyrtar me shkresa. Kanë mbajtur qëndrimin e duhur kundrejt FSHF-së.
Ish-arbitri i FIFA-s, Lorenc Jemini, thotë që Kridens Meta nuk i bëri me kokën e tij ato veprime në Laç. Cili është komenti juaj?
Nuk kam koment sepse është mendimi i tij. Shikoni, po ju them diçka. Edhe në rast se do të kishim sistemin VAR në atë ndeshje, në asnjë nga ato situata sistemi nuk do të hynte për të marrë vendim.
Jeni i sigurt, që nuk do të ndërhynte apo nuk duhet të ndërhynte?
Jam i bindur, sepse janë situata që nuk janë fakte, faulle flagrante apo penallti flagrante të padhëna. E përsëris, që vetëm faulli i parë, ndoshta, mund të jetë për ndërhyrje nga sistemi VAR. Rastet e tjera nuk përfshihen në kontrollin që i bën sistemi VAR.
Si ka mundësi që kërcasin kaq shumë në opinion?
Sepse janë katër raste. Po të ishte një, nuk do të ishte marrë në konsideratë apo të bëhej kaq zhurmë. Meqenëse, janë katër në një ndeshje, tri për Partizanin dhe një për Laçin, kjo e shton artificialisht zhurmën.
Dy javë më parë, i njëjti arbitër me të njëjtat skuadra, bëri gjykim shumë korrekt. Çfarë ndodhi që në këtë ndeshje ndërmori ato vendime?
Arsyeja e atij arbitrimi në Elbasan, pra që ka marrë vlerësime pozitive edhe në opinion siç e thoni ju, ka ndodhur sepse gjatë 90- minutave nuk kishte asnjë situatë të vështirë në zonën e rreptësisë. Këtë herë pati disa.
Por, e menaxhoi siç duhet në Elbasan, jo vetëm për penallti…
Në Laç, sa i përket menaxhimit, ka pasur vetëm dy të verdhë. Ky është menaxhim loje. Ndërsa, kur bëhet fjalë për vendime teknike, janë më të vështira në zonën e penalltisë. Në Elbasan nuk pati. Për fatin e kësaj ndeshjeje, pati katër të tilla. Rast i rrallë për një arbitër që të ketë kaq shumë brenda zonës në 90-minuta.
Mos më dribloni, sipas jush, e kalon klasën Meta për ndeshjen e Kupës?
Nuk e di, varet nga ato që ka shënuar vëzhguesi i ndeshjes. Ka shumë situata që duhen vlerësuar për të thënë nëse e kalon apo jo klasën.
Lorenc Jemini, një ish-arbitër me stemë, thotë edhe që “arbitrat e FIFA-s komandohen sipas dëshirës nga lart”. Si i përgjigjeni?
Gjithmonë është mendimi i Lorenc Jeminit. Nuk mund të komentoj dot mendimin e një tjetri. Nuk e kam për edukatë që ta bëj këtë. Është mendim personal të cilin mund ta mbajë për vetë. Unë nuk mund ta komentoj dot mendimin e një personi tjetër. Ne kemi një strategji pune, një rregullore pune dhe me atë caktojmë arbitrat.
Si po funksionojnë kolegjiumet në Shqipëri?
Nuk është më e mira e mundshme, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Sepse të gjithë arbitrat nuk mund të takohen dot në një sallë, që të janë bashkë për të analizuar punën. Kështu funksionojnë kolegjiumet ku bëhet analiza e çdo jave.
Tani janë këto mbledhjet “online”, por nuk është as sa çereku i punës që është bërë më përpara. Nuk është e njëjta situatë kur ti je para kompjuterit dhe u komenton rastet arbitrave, me situatën kur i ke në sallë dhe u tregon rastet në projektor. Në këtë kontekst, është gati gjysma e punës së kolegjiumeve. Punohet dhe po aktivizohen edhe arbitrat e rinj. Megjithatë, kërkohet koha e nevojshme në çdo moment për t’u maturuar.
Pse nuk u del askush në mbrojtje arbitrave?
A ka ndonjë vend të botës që nuk anatemohen arbitrat? Unë them jo.
Në momentin që anatemohen, askush nuk u del në mbrojtje. Pse?
Po si duhet t’u dalim në mbrojtje. Ma thoni ju. Si?
Ju nuk e keni një strategji si duhet bërë kjo?
Si duhet të dali në Itali një zyrtar në mbrojtje të një arbitri?
Në ndeshjen e Kupës, Laçi-Partizani, trajneri, presidenti dhe vetë klubi kanë akuzuar arbitrin. Pse askush nuk i del në mbrojtje arbitrit nëse sipas jush ka vepruar drejt, edhe për opinionin sportiv?
T’i komentojmë teknikisht? Pjesë e opinionit sportiv, nuk janë specialistë gjykimi.
Po Lorenc Jemini, ish-arbitër me stemën e FIFA-s, që thotë se ishin katër penallti në total të padhëna?
Ju mendoni se unë duhet të dal në publik dhe t’i mbush mendjen Lorenc Jeminit për rastet? Nuk e kam këtë… Nuk ka arsye që t’i mbush mendjen dynjasë. Ne kemi një sektor arbitrimi, kemi komisionin e meritës që merret me rastet dh bën vlerësimin. Kjo është mbrojtja e arbitrit. Nëse ju e shihni këtë arbitër që pas një apo dy javësh e keni në fushë, duke gjykuar sërish, do të thotë që nuk ka gabuar fare. Është komisioni që merret me gabimet e arbitrave dhe ku është gabuar, po e shihni që gjyqtarët nuk po aktivizohen.
Në momentin që do të shihni që një arbitër të cilin opinioni e anatemon, ta keni pas një jave apo dy në fushë, do të thotë që nuk ka gabuar. Në asnjë vend të botës… Në rregull, ka vende që kanë nivelin kulturor dhe edukatën maksimale, atëherë dilet dhe shpjegohet për njerëzit. Nuk dal unë që një njeri i cili i thotë arbitrit “palaço, të kap për veshi”, të dal dhe t’i shpjegoj teknikisht. Nuk dal dot, sepse i nuk di, nuk më dëgjon mua.
Por, është president…
Atij i është mbushur mendja. Ia kanë mbushur të tjerët. Teknikisht nuk di fare. Pasi ai ka thënë “ta kap për veshi”, unë të dal dhe të them,. Dysho ti. Se këtu… Nuk kemi ende nivelin. Në linjë, jam dkord me ju që duhet dalë dhe të ekzistojë kjo që thoni ju. Por në Shqipëri me këtë nivel është shumë e vështirë…
Njoftimi i arbitrave bëhet të premten vonë, për të shtunën. Pse?
Po. Njoftohen vetëm 24 orë përpara. Bëhet për shumë arsye dhe më kryesorja është për të mbrojtur arbitrat. Këta të fundit lajmërohen fillimisht që je në aktivitet. Dhe më pas lajmërohen për ndeshjen. kjo për shumë arsye, por mbi të gjitha për të mbrojtur arbitrat.
Nga kush mbrohen arbitrat?
Jetojmë në një situatë shumë të vështirë. Jemi në një shtet ku çdo gjë paragjykohet. Arbitrat paragjykohen që në momentin kur marrin ndeshjen. nga presidentët, nga njerëz të tjerë. Për t’i mbrojtur, e bëjmë këtë sforco. Kjo është një sforco për të gjithë ne, edhe arbitrat edhe ne. Jemi në një vend ku njerëzit marrin në telefon, ku bëhen kërcënime në telefon, arbitrat paragjykohen… Për ne është mënyra më e mirë për t’i mbrojtur arbitrat.
Pse nuk janë bërë zgjedhjet për presidentin e Shoqatës së Arbitrave?
Nuk e di. Unë nuk jam pjesë e Shoqatës së Arbitrave. Jam pjesë e federatës. I zgjedhur nga liga dhe federata. Me propozimin dhe miratimin e klubeve.
A duhet që presidenti i FSHF-së të futet në analizë për arbitrat?
Nuk është hera e parë dhe ka ndodhur edhe herë të tjera që presidenti vjen shpesh kur ne jemi në seminare me arbitrat. Nuk ishte mbledhje me arbitrat. Ishte seminar i përmuajshëm me ta dhe qëlloi që presidenti i FSHF-së të ishte prezent. Foli me arbitrat sepse rastisi që dy javë më parë kishin ndodhur dy raste ku gabimet ishin evidente.
Po pse duhet?
Ai thjeshtë bëri një rikujtesë që jemi në javët e fundit dhe vetëm kaq. Duhet të keni kujdes në vendime që të jenë sa më të sakta.