Jasir Asani dhe Nedim Bajrami u kthyen në një temë diskutimi në kohët e fundit. Në Telesport u raportua se të dy futbollistët nuk e kanë pranuar aspak mirë stolin dhe kanë ngritur zërin kundër Silvinjos. Mbi këtë çështje ka pasur edhe një reagim nga ana e Jasir Asanit në emisionin Koha Shtesë që transmetohet në Youtube.
Asani ka dhënë versionin e tij duke u shprehur se ka qenë gjithmonë aty për Shqipërinë dhe se pranon edhe tribunën pasi për të fanella e Kombëtares, është shumë peshë e rëndë. Gjithashtu Asani thekson se nuk mund të ngrejë zërin as kundër Silvinjos pasi nuk është mosmirënjohës dhe e di se prej këtij trajneri tani është pjesë e Kombëtares.
“I kam dëgjuar këto zëra, unë udhëtoj tre ditë dhe jap shpirtin për fanellën kuqezi dhe të mos dalë në stërvitje, është e pamundur. E shkatërroj jetën time ashtu dhe cdo gjë që kam arritur në futboll. Unë kam qenë i lënduar ndaj Ukrainës dhe i kam thënë Silvinjos: “Dua të luaj, e rrezikoj karrierën time për këtë bluzë”.
Unë nuk e bëj kurrë këtë, unë nuk jam mosmirënjohës, kam respekt për atë që ma ka dhënë një dorë. Silvinjo ishte njeriu që më solli te Shqipëria dhe të mos vinte Silvinjo te Shqipëria, unë nuk do të shkoja kurrë në asnjë Kombëtare, do të prisja që një ditë të më vinte ftesa e Shqipërisë ose të mbyllja karrierën. Çdo ditë vijnë mediat në stërvitje dhe unë kam qenë gjithmonë aty. Unë e pranoj edhe stolin dhe tribunën dhe nëse nuk më thërret hic trajneri, unë e dua shumë Shqipërinë”, tha Asani. /Sport Ekspres/