Ylli i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani, ka dhënë një intervistë për revistën italiane ‘Cronache di Spogliatoio’. Njeriu simbol i Shqipërisë në këto eliminatore, ashtu siç të gjithë e njohin, të qetë, modest, e të sinqertë, Jasir Asani tregon hapur emocionet e përjaetuar gjatë këtyre muajve ndërsa flet pa doreza edhe për të ardhmen e tij që pritet të ndryshojë në janar.
“Jam i bindur që nëse do të kishim Camp Nou në Tiranë, do ta mbushnin shqiptarët. Jemi të çmendur pas futbollit”,
Në Shqipëri po marrim dashuri ekstreme. Në rrugë na quajnë heronj dhe mesazhet në Instagram më bllokohen. Ndonjëherë në Instagram më mungojnë edhe mesazhet e të afërmve të mi për shkak të numrit të njoftimeve që kam.
Mendova se Kombëtarja nuk do të më thërriste më. Dhe në vend të kësaj, në moshën 28-vjeçare, ja ku jam: Protagonist në Shqipërinë më të fortë ndonjëherë.
Sylvinho ndryshoi jetën time, përpara se asnjë trajner të më kishte marrë në konsideratë. Unë kam lindur në Shkup, më telefonuan nga Maqedonia, por nuk pranova. Jam ndjerë gjithmonë shqiptar.
Më kujtohet ende telefonata me trajnerin. E mora telefonatën disa orë para ndeshjes. Isha aq i lumtur sa më pas shënova një hat-trick me Gwangju.
Merkato? Kërkohem nga Italia, Gjermania, Arabia dhe Spanja. Unë do të lëviz në një nga këto liga në janar. Si çdo shqiptar, edhe unë jam i fiksuar pas Serisë A. Të gjithë në Shqipëri mbështesin një klub italian si dhe një ekip nga kampionati ynë.
Goli kundër Polonisë ishte i mrekullueshëm. E kam rishikuar një mijë herë dhe pastaj Szczesny m’u afrua: Bravo, nuk e prisja që ta gjuaje nga ajo distancë”, tha Asani.