Jasir Asani ishte padyshim një nga heronjtë e Shqipërisë gjatë edicionit eliminator Gjermani 2024. Sulmuesi anësor, që erdhi në kombëtare si “zbulim” i Sylvinhos, shpërbleu besimin me tre gola spektakolarë, që pushtuan zemrat e publikut kuqezi, por morën bënë edhe xhiron e botës në rrjetet sociale.

Në emisionin “Rruga drejt Euro 2024” të përgatitur nga SuperSport, shkupjani rrëfen emocionet e ndeshjes së parë, asaj ndaj Polonisë në Varshavë, ku ndër të tjera kuqezinjtë krijuan bindjen se mund të bëjnë një edicion të mirë eliminator.

“Ishte një emocion shumë i madh, pasi vija për herë të parë në kombëtare dhe nuk kam fjetur fare për dy ditë. Edhe kur dolëm në nxehje kisha shumë vështirësi, pasi ishte emocion shumë i madh. Të gjithë ishim të kënaqur pasi kishim bërë një ndeshje shumë të mirë. Por në të njëjtën kohë ishim të mërzitur, pasi nuk e meritonim të humbnim”, rrëfen Asani për transfertën polake në Varshavë.

Goli i parë i Asanit me fanellën kuqezi do të vinte në qershor ndaj Moldavisë, një sfidë që ishte mbërthyer në barazim prej shumë minutash dhe që u zhbllokua nga e majta spektakolare e sulmuesit.

“Ndaj Moldavisë ishte edhe më e vështirë. I gjithë stadiumi na mbështesnin dhe nuk mundesha të bëja nxehje, pasi më dridheshin këmbët nga emocioni. 20-25 minutat e para isha në ajër. Atë gol nuk do ta harroj kurrë, sepse falë tij morëm rrugën drejt kualifikimit në Europian”, rrëfen Asani.