Ndeshjet e para të fazës së dytë të Kategorisë Superiore do të luhet e gjitha ditën e mërkurë. Kryesore është supersfida mes Kukësit dhe Tiranës. Pasi bardheblutë fituan në ballafaqimin e parë 2-0, skuadra e Skënder Gegës do të kërkojë revanshin ndaj kampionëve të Shqipërisë këtë të mërkurë në “Elbasan Arena”.
Ballafaqimi mes kampionëve dhe nënkampionëve të Shqipërisë do të luhet në orën 16:45, ndërsa 4 takimet e tjera do të zhvillohen në orën 13:45.
Teuta udhëton në Korçë për t’u përballur me Skënderbeun. Bardhekuqtë dhe durrsakët duan të nisin një ecuri të re rezultatesh pasi në 9 ndeshjet e para kanë qenë larg pritshmërive. Vllaznia udhëton në fushën e Apolonisë në Fier. Shkodranët duan të ruajnë kreun e renditjes teksa me përfundimin e fazës së parë janë kryesues të kampionatit.
Laçi pret në shtëpi Bylisin. Fitorja e parë sot në këtë sezon ndaj Vllaznisë i ka sjellë mjaft optimizëm stolit të kurbinasve.
Partizani ka një përballje të vështirë në kryeqytet me Kastriotin. Kujtojmë që krutanët në fazën e parë i mundën të kuqtë me rezultatin 2-1.
Ndeshjet e javës së dhjetë të Kategorisë Superiore
Skënderbeu-Teuta (13:45)
Apolonia-Vllaznia (13:45)
Laçi-Bylis (13:45)
Partizani-Kastrioti (13:45)
Kukësi-Tirana (16:45)