Kategoria Superiore vjen sot me të 5 takimet e javës së 18, të cilat do të luhen në dy orare të ndryshme, 13:00 dhe 16:00.
Kështu, Peter Pacult, pasi debutoi me fitoren në Shkodër, ndaj Vllaznisë, në orën 13:00 do të bëjë edhe debutimin në ‘Zeqir Ymeri’, përballë tifozëve vendas.
Kundërshtari i Kukësit në këtë sfidë do të jetë pikërisht Flamurtari, skuadra që renditet para verilindorëve në renditje dhe që po tregon një formë të shkëlqyer.
Në Kukës pritet të jetë një përballje mjaft interesante, pasi të dyja skuadrat synojnë t’i hapin luftë Skënderbeut, në garën për titullin kampion.
Pikërisht korçarët, po në orën 13:00 do të zbresin në fushë në “Loro Boriçi”, ku do të përballen me Vllazninë vendase, me synimin e vetëm, marrjen e fitores së parë në kampionat, për vitin 2018.
Skuadra e Duros vjen pa mungesa të rëndësishme në këtë sfidë dhe 3-pikët janë synimi i vetëm, për të ruajtur distancën nga ndjekësit.
Nga ana tjetër, shkodranët notojnë në ‘zonën e ftohtë’ të renditjes dhe kanë nevojë për pikë, që të largohen sa më shpejt. Edhe Gjoka ka në dispozicion një ekip të plotë dhe do të zbresë në fushë me synimin për të mos dalë pa pikë, në të dytën ndeshje radhazi në shtëpi.
Stavri Nica do të rikthehet në Laç, këtë herë si kundërshtar dhe me synimin për t’i bërë keq vendasve. Teuta hodhi një hap fals me barazimin 2-2 ndaj Lushnjës, duke bërë që të mbetet shumë pranë fundit të renditjes dhe ka nevojë për pikë.
Nga ana tjetër, Laçi i Mezanit, e nisi vitin me hapin fals ndaj Kamzës, por korrigjoi gjithçka në sfidën e Kupës së Shqipërisë, përballë Luftëtarit.
Vendasit kërkojnë vetëm 3 pikët, për të rikthyer qetësinë, ndërsa Teuta ka nevojë për pikë dhe çdo rezultat përveç humbjes, do të jetë sukses.
Lushnja e Dedjes dukej si e e pashpresë në fund të renditjes, por fundjavën e kaluar në Durrës, tregoi se është aty dhe do të luajë shanset e saj për të qëndruar.
Lagunarët do të presin në ‘Roza Haxhiu’ Luftëtarin, që vjen pas 4 fitoresh radhazi në kampionat, por edhe një humbjeje befasuese në Kupë, përballë Laçit.
Sulmi i vendasve ka treguar se është në lartësinë e Superiores, ndërsa mbrojtja e gjirokastritëve ‘fut ujë’, ndaj nuk përjashtohen surprizat edhe në këtë takim.
Java e 18 do të mbyllet me sfidën e orës 16:00, mes Partizanit dhe Kamzës. Pikërisht në humbjen ndaj kamzalinjve, në fazën e parë, erdhi edhe shkarkimi i Iulianos dhe që atëherë, është një tjetër Partizan, por vetëm në letër, pasi në fushë nuk ka treguar ndonjë gjë të madhe.
‘Demat e kuq’ vijnë pas dy humbjeve identike ndaj Flamurtarit, në kampionat dhe në Kupë, ndaj synojnë rikthimin te suksesi, përballë Kamzës, që po tregon se është një ‘kockë e fortë’ për çdo kundërshtar.