Superiorja ditën e djeshme hapi siparin e javës së 20-të të saj, teksa zhvilloi dy takime mjaft të rëndësishme. Egnatia fitoi ndaj Kukësit, ndërsa u ndalën në barazimi Teuta dhe Tirana. Sot është radha e 6 ekipeve të tjera për të kërkuar fitoren në fushën e lojës.

Gjithçka do të nisë me duelin mes Erzenit dhe Vllaznisë që do të luhet në “Egnatia Arena”, ora 13:30. Shijakasit pas barazimit me Laçin tentojnë dhe kërkojnë fitoren për t’iu larguar sa më shumë zonës së ftohtë, ndërsa përballë do të kenë skuadrën e momentit në Superiore. Shkodranët prej 4 javësh kanë arritur të “korrin’ vetëm fitore dhe ndaj shijakasve synojnë një tjetër 3 pikësh që do t’i mbante në “Final – Four”.

Në orën 17:00 do të luhen dy takime paralelisht në Tiranë dhe Korçë. Në “Arenën e Demave” do të sfidohen mes tyre Partizani dhe Laçi. Demat nuk duan hapa fals në shtëpi dhe ndaj kurbinasve do të luftojnë për një tjetër 3 pikësh, ndërkohë skuadra e Mirel Josës synon që të rikthehet te fitorja pikërisht në kryeqytet ndaj demave.

Ndërsa në Korçë, Skënderbeu pret Dinamon. Korçarët prej 4 javësh nuk e njohin fitoren dhe synojnë që para tifozëve të tyre të “shkelmojnë” krizën, ndërkohë Dinamo pas humbjes “dramatike” me Tiranën kërkon të bëjë “autokritikë” ndaj korçarëve.

SFIDAT:

Erzeni – Vllaznia

Partizani – Laçi

Skënderbeu – Dinamo