Superiorja ditën e sotme do të luajë 3 ndeshjet e tjera të javës së 29-të të kampionatit. Duele mjaft të rëndësishme janë në program për t’u zhvilluar në 2 orare të ndryshme.
Siparin e ditës së sotme do ta ngre përballja mes Laçit dhe Egnatias, takim që do të startojë në orën 13:30 dhe që do të luhet në Kurbin. Një përballje mjaft delikate për ekipet që kërkojnë 3 pikët për të blinduar pozitat e tyre në klasifikim.
Ndërkohë në orën 16:30 do të luhet paralelisht në Elbasan dhe Durrës. E gjithë vëmendja e tifozëve do të jetë në “Elbasan Arena”, aty ku do të luhet Klasikja e Shqipërisë mes Tiranës dhe Vllaznisë. Një sfidë që ngjall emocione të mëdha dhe që vihen përballë dy ekipet më me rivalitet dhe histori në futbollin shqiptarë.
Ndërkohë në “Niko Dovana” do të përplasin “brirët” mes tyre Teuta dhe Elbasani. Një duel ku durrsakët do të luajnë për t’iu larguar fundit të klasifikimit, ndërsa nga ana tjetër elbasanasit luftojnë dhe shpresojnë për një vend në “Final – Four”.