Nga Endri ÇINARI
Kjo javë do e shikojë Vllazninë dhe jo vetëm në aktivitet të dyfishtë. Kjo pasi disa nga skuadrat e vendit tonë janë në garë për turin e çerekfinaleve të kupës së Shqipërisë. Me shkodranët që përballë gjejnë Elbasanin, me duelin e parë që luhet në transfertë ditën e mërkurë. E për t’u rikthyer në fundjavë në ndeshjet e kampionatit në shtëpi.
Ku kuqeblutë në javën e 24-të të Superiores do presin në Shkodër ekipin e Bylis. Një javë impenjiative për ekipin e drejtuar nga Brdariç që duket se ka fokus 100% në të dy kompeticionet. Nga sa mësohet në kampin kuqeblu janë më se të karikuar për të bërë maksimumin në të dy kompeticionet. Dhe përqendrimi është i njëjtë si në ndeshjen e kupës e po ashtu atë të kampionatit.
Shkodranët nuk duan t’i lënë asgjë rastësisë dhe e konsiderojnë rrugëtimin pozitiv në kupë shumë të rëndësishëm. Duke qenë se në kampionat ekipi i Brdariç momentalisht “noton” në “ujëra të qeta”, fokusi shkon tek kupa. Ku avancimi i mëtejshëm apo edhe arritja në një finale të mundshme, do siguronte kualifikimin në kompeticionet europiane. E patjetër edhe fitimi i një trofeu si kupa nuk anashkalohet aspak. Ku në 4 sezonet e fundit, kuqeblutë kanë arritur të jenë dy herë fitues.
Kjo në sezonin 2020-21 ku mposhtën në finale Skënderbeun me rezultatin 1-0 e po ashtu në sezonin 2021-22 ku triumfonin përballë Laçit me rezultatin 2-1 pas kohëve shtesë.(www.shkodrasport.com)