Nga Endri ÇINARI
Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 në javën e 32-të të kampionatit. Rezultat ky i ardhur në transfertë kundër Teutës dhe që në fund mund të llogaritet si një pikë e vlefshme. Sepse shkodranët arritën të ruajnë vendin e dytë kundrejt Partizanit. Por kjo javë mund të jetë shumë përcaktuese për fatet e sezonit kuqeblu.
Do jetë një “dopio Egnatia” kundër kuqebluve në javën që kemi hyrë. Duke nisur nga dita e mërkurë, ku shkodranët luajnë ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së kupës në “Loro Boriçi”. Një rezultat për tu përmbysur pasi të besuarit e Osmanit janë mposhtur me rezultatin 1-0 në duelin e parë të zhvilluar në Rrogozhinë.
Dhe duke qenë se asgjë nuk është e sigurtë në kampionat përsa i përket një kualifikimi në kompeticionet e Europës, kupa mbetet një objektiv serioz. Por Egnatia do jetë edhe në fundjavë kundër 9 herë kampionëve të vendit. Kësaj rradhe për javën e 33-të të Superiores, ku Vllaznisë i kërkohet sërish një rezultat pozitiv, për të mos u larguar nga dyshja kryesuese.
Një pjesë e mirë e edicionit futbollistik mund të përcaktohet brenda kësaj jave për Vllazninë. Ku duke nisur nga e mërkura e për ta mbyllur të dielën, fatet e sezonit kryqëzohen tek një emër që është Egnatia./www.shkodrasport.com/