Pas kupës “Ymer Striniqi” zhvilluar dje në Shkodër, javën e ardhshme do të nisë një tjetër kupë në nderim të një tjetër figure sportive.

Bëhet fjalë për kupën “Artan Qamil Medja” që do të zhvillohet në nderim të ish- futbollistit të Vllaznisë të ndarë nga jeta pas një aksidenti tragjik 24 vite më parë.

Inisiativa e Alban Nezirit, është përkrahur edhe nga Klubi i Futbollit Vllaznia dhe shokë e kolegë të Artanit të cilët do të zbresin në fushën e lojës për të luajtur për Artanin.

Janë plot 8 ekipe të cilët do të marrin pjesë në këtë kupë në të cilët do të luajnë ish- futbollistët e Vllaznisë dhe kolegët e Artan Qamil Medjes duke filluar nga Edi Martini, Suad Lici, Armir Grima, Brikeno Bizi, Uliks Kotrri, Luan Zmijani etj.

Në fakt, ideja e organizimit të kësaj kupe është diçka për t’u përgëzuar sepse po kujtohet një nga lojtarët e talentuar të ekipit shkodran të cilit karriera iu ndërpre në mes.

Artan Medja ka qenë djali i një ish- futbollisti të njohur të Vllaznisë së viteve ’50-’60, Qamil Medjes.

Padyshim që nuk mund të ishte ndryshe zgjedhja e tij përveç futbollit, për të ndjekur rrugën e të atit.

Dhe karrierën e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme. 18 vjeç kalon në ekipin e parë dhe luan tre ndeshje në sezonin 1992-93.

Ndërkohë një sezon më pas do të luante titullar në rolin e mesfushorit të qendrës dhe Artani do të spikaste me paraqitjet e tij.

Por për fat të keq, karriera do të ndalej këtu. Në shkurtin e vitit 1994, luhej ndeshja Vllaznia- Lushnja në Shkodër.

Kuqeblutë do të fitonin me rezultatin e pastër 3-0 dhe njërin nga golat e fitores do ta shënonte pikërisht Medja.

Një gëzim i madhe dhe i ligjshëm për 19 vjeçarin i cili pas ndeshjes, bashkë me disa shokë të tij nxitojnë për ta festuar në Shirokë.

Por ky rrugëtim dhe kjo festë do të ndalej në mënyrë tragjike në hyrje të qytetit sepse një aksident tragjik do t’i merrte jetën atij.

Një humbje e madhe jo vetëm për familjen por edhe për shokët e ekipit që nuk mund ta besonin se shoku i tyre nuk do jetonte më.

Por në fakt, Artani duket se është ende në mendjen e kolegëve të tij futbollistë sepse do të mblidhen sërish për ta kujtuar pas 24 vitesh duke luajtur dhe zhvilluar kupën me emrin e tij.

Si per te thene se ai eshte serish mes tyre, duke luajtur futboll dhe duke vazhduar enderren e tij serish.

Aktiviteti do të nisë më datë 3 prill ora 18.00 në kompleksin sportiv “Lici”.
© shkodrasport.com