Trajneri i Kukësit, Enkelejd Dobi, e ka cilësuar të rëndësishëm faktin që ekipi ka arritur të gjejë fitoret radhazi në kampionat. Por duke folur për “Oversport” ai ka theksuar se skuadra duhet të bëjë më mirë në vazhdimësinë e lojës së saj, që të mos lejojë kundërshtarët të kthehen në ndeshje.

“Çdo fitore është e rëndësishme por sot shohim që kemi bërë dy fitore radhazi në kampionat dhe jemi ende në zonën e kuqe. Duhet të jemi në vazhdimësi, them se duhet të jemi ende më të rafinuar në disa situata se jemi pak konfuz dhe pa dashje i japim besim kundërshtarit se mund të na ndëshkojë. Duhet të jemi të qartë e të qetë në veprimet që bëjmë.

Jemi ende në malore, jemi në kilometrin e dytë të autostradës me 100 kilometra. Bëjmë disa gjëra mirë, por jemi ende konfuzë, humbim topin shumë thjeshtë, duhet të jemi më kërkues secili për veten e tij.

Kemi qejf të punojmë në presing, të vëmë në vështirësi kundërshtarin dhe mundohemi të godasim me aksione të shpjeta e t’i kapim të paorganizuar. Ishte një situatë ku edhe Bylisi mund të na ndëshkonte, ishte gabim i yni.

Bylisi është një skuadër agresive që luan kompakte e shpejt, ka lojtarë cilësorë. Në këtë moment duhet të jemi të rafinuar në mbrojtje e sulm, kemi situata që duhet ta zgjidhim më përpara ndeshjen. Në futbollin e sotëm nuk kemi situata të shumta, duhet të jemi më kërkues sidomos në mbrojtje e sulm, që secili të marrë përgjegjësi dhe të bëjmë maksimumin”, theksoi Dobi.