Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti ka folur nga Pogradeci, aty ku “Demat” po vijojnë me fazën përgatitore në pritje të datës 20 gusht, kur nis edhe sezoni i ri në Superligë.

Një mbrojtës dhe një sulmues kërkon trajneri në merkato, teksa e cilëson skuadrën në ndërtim e sipër. Tre miqësore, kundër Teutës, Bylis dhe Dinamos do luajë Partizani në këtë fazë përgatitjesh.

“Përgatitjet – Duke parë temperaturat e larta në Tiranë kemi vendosur të vijojmë përgatitjet në qytetin e Pogradecit, kjo edhe për klimën optimale dhe ambjentet e stadiumit që na kanë mundësuar drejtuesit e klubit të Pogradecit. Përgjatë qëndrimit dy javor në Pogradec, kemi programuar të zhvillojmë edhe tre ndeshje miqësore me Dinamon, Bylisin dhe Teutën.

Merkato – Duhet të përforcojmë sulmin dhe mbrojtjen, janë dy reparte ku ne duhet të ndërhyjmë. Sidomos në linjat anësore të fazës ofensive na duhet të marrim lojtarë, gjithashtu edhe në fazën difensive, për të dubluar të gjitha rolet dhe patur konkurrencë më të madhe.

Rivalët për titull – Për momentin ekipet po kolaudohen. Javët e para të kampionatit do të tregojnë realisht skuadrat me pretendime. Eshtë shumë e rëndësishme mënyra se si e zhvillon merkaton dhe mënyra se si e ndërton skuadrën.

Ne jemi në ndërtim e sipër dhe shpresoj të plotësohemi sa më shpejt të jetë e mundur. Lojtarët që janë afruar dhe lojtarët që presim të vijnë duhet të arrijnë të përshtaten, të marrin maksimumin dhe të dinë vlerën që ka klubi Partizanit. Partizani është gjithnjë me pretendime maksimale dhe jemi të ndërgjegjshëm që na pret një kampionat i forte”, tha Mehmeti.