Erkand Qerimaj ka dhene nje interviste për “Albanian Free Press”. Ka folur rreth medaljes së shumëpritur që siguroi pas skandalit me peshëngritësin rumun. Ndërkohë, fenomeni “doping” ka tronditur aktualisht në “themele” edhe peshëngritjen shqiptare, Qerimaj thotë se duhet lexuar mirë suksesi i tij, para Rio 2020.JJezusin e pyetën njerëzit, nëse ishte e drejtë t’ia paguanin taksat qeverisë. Ai u përgjigj: Jepni Çezarit atë që i takon Çezarit … dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë”.

Jezusi nuk sulmoi qeverinë, as nuk tha “mos i paguani taksat”. Ndërsa që nga parahistoria, rregulli edhe sot thotë: “Duhet t’i japim Çezarit, atë që i takon Çezarit”. Atëherë, kur ndokush i ka paguar taksat dhe të gjitha detyrimet që ka ndaj shtetit shqiptar, çështja shtohet se, çfarë i takon atij … në rastin konkret, a i detyrohet Shqipëria, një kampioni si Erkand Qerimaj?!

Erkand Qerimaj, kampion bote për të rinjtë (2008), Kampion Europe në Tel Aviv (2012), nënkampion Europe në Bukuresht (2009), dhe i treti në europianin e kaluar zhvilluar në Split (2009), nuk kishte medalje në botëror dhe nuk ka as në Olimpiadë.

Ai u shpall i treti në Kampionatin e fundit Botëror të Peshëngritjes që u zhvillua në Anaheim të SHBA-ve, duke realizuar një tjetër ëndërr. Në fakt, peshëngritësi shqiptar e mbylli garën në vend të katërt, por u fut në zonën e medaljeve pas s’kualifikimit të rumunit, Dimitru Kaptaru, i cili kishte zënë vendin e dytë. Plot 45 medalje ndërkombëtare, që nga viti 2002 kur nisi karrierën dhe deri në vitin 2017, kur zhvilloi garën e fundit, numëron Erkand Qeimaj.

Një ndër kampionët e rrallë që ka Shqipëria, sot nuk gjendet kudo, por gjendet aty ku ai mund të jetë normalisht, në stërvitje. Mjafton një vizitë në mjediset më në fund luksoze të Parkut Olimpik, ku peshëngritësit e Kombëtares sonë përgatiten, ndonëse në një situatë jo shumë të favorshme për sportin që ai përfaqëson, pas skandalit të fundit të dopingut me Romela Begaj, dhe aty gjendet duke ngritur e ulur shtangën, Erkand Qerimaj. Ndërpret për pak momente stërvitjen dhe flet i emocionuar për suksesin e fundit.

“Jam tepër i emocionuar dhe i gëzuar për këtë medalje! E prisja me padurim! I fundit që ka arritur suksesin tim, është Ilir Suli, 15 vjet më parë,” – thotë Erkand Qerimaj, në një intervistë për “Albanian Free Press”.

“Suli mori shpërblim nga qeveria e asaj, kohe 100 mln lekë. Unë nuk e di, sepse janë përcaktuar rregulla të tjera gjatë viteve të fundit, mbi shpërblimet e sportistëve.

Pavarësisht se në stilin e shkëputjes jam futur në zonën e medaljeve dhe besoj se më takon shpërblimi, një gjë e tillë mund të interpretohet ndryshe ligjërisht, mbi rezultatin në dygarësh”, – shpjegon një ndër sportistët e paktë elitarë që ka Shqipëria sot.

Çfarë i takon dhe çfarë nuk i takon Erkand Qerimajt?! A ka një të dytë Shqipëria aktualisht, në të gjitha sportet së bashku?!

Dhe e meriton ai tashmë më shumë vëmendje, sikurse nuk duhet të diskutohet shpërblimi që i takon me VKM, me qëllim që të motivohet maksimalisht për mbylljen me sukses, pse jo me medaljen e vetme që i mungon atij në karrierë: dhe nëse ia del edhe në “Rio 2020”, do të quhet medalja e parë për Shqipërinë në një olimpiadë.

Erkand, çfarë do të thotë për ju medalja e fundit në botërorin e Peshëngritjes?

Qëllimi im i pjesëmarrjes në botërorin e fundit, ishte zona e medaljeve. Pas Ilir Sulit që arriti të njëjtin rezultat 15 vjet më parë, ky është rezultati më i mirë për Peshëngritjen Shqiptare në botëror. Jam i emocionuar, sepse pas shumë medaljeve që kam siguruar në karrierë, më mungonte pikërisht medalja në botërorin e të rriturve.

Ju përfituat nga s’kualifikimi i rumunit, për shkak dopingu, edhe pse Shqipëria është e prekur nga ky fenomen,  madje sporti që ju përfaqësoni, rrezikon shumë pas rastit “Begaj”? 

Po, medalja i ka të dyja anët. Sa për rastin e Shqipërisë, mendoj se fenomeni nuk duhet të ekzistojë.  Unë personalisht, para botërorit jam stërvitur në Tiranë dhe kontrollet anti-doping i kam kryer në Shqipëri, Kroaci dhe SHBA, para se të konkuroja.

Romela nga ana tjetër është stërvitur në Greqi dhe më vjen keq për rastin në fjalë. Sepse unë vetëm pasi më është konfirmuar pastërtia, vendosa të futesha në garë. Kështu, kur rastet janë individuale, nuk ka pse penalizohet i tërë ekipi kombëtar, apo edhe sportistët e tjerë.

Po përgatiteni për europianin e ardhshëm, që duhet të zhvillohej në Tiranë. Por dopingu dha efektit e tij dhe tani jeni në pritje …

Për mua nuk ka rëndësi se ku do të zhvillohet. Nuk do të zhvillohet në Tiranë, mund të zhvillohet në Gjeorgji. E njëjta gjë është për mua. Po përgatitem për t’u futur në zonën e medaljeve.

Po përgatiteni për në Europian, me çfarë objektivi?

Peshëngritësi rumuni që u s’kualifikua për doping, ishte edhe rivali im kryesor në Europian. Ai aktualisht është edhe kampion në fuqi i Europës.

Besoj se, nga rivaliteti nuk do ta kem më të ashpër për medalje. Shpresoja ta kem më të lehtë të realizoj objektivin tim.

Për sukseset ndërkombëtare, a jeni shpërblyer rregullisht dhe çfarë prisni tani që u futët në zonën e medaljeve?

Shpërblimet në fakt janë të rregulluara me ligj.

Megjithatë, shpërblimin mund të ma japin pasi jam në vend të tretë në botë, pasi i tillë është vendimi i Këshillit të Ministrave që thotë: vendi 1, 2, 3, 4, dhe i 5-ti në Botëror duhet të shpërblehen nga Ministria përkatëse, pra, në bazë të VKM-së.

Shpresoj që rezultatet e mia të interpretohen me dashamirësi nga organet kompetente, me dashamirësinë e nevojshme që kërkon një sport dhe çdo sportist plot sakrifican siç është peshëngritja.

Aq më tepër që jemi para garave të tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Besoj se ka vend më tepër për të motivuar sportistët, sesa e kundërta.

Pas medaljes së vonuar në botërorin e fundit, tani numëroni një të tillë në çdo aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar. Çfarë ju mungon atëherë në karrierë?

Padyshim, medalja në një olimpiadë, të cilën, në fakt, nuk e ka arritur asnjë sportist nga Shqipëria.

Por kam kohë, sepse pas Europianit dhe Lojërave Mesdhetare, do t’i përkushtohem Olimpiadës “Rio 2020”, për medaljen e parë të Shqipërisë dhe të fundit që më ka mbetur për të arritur në karrierë.

Medalja e fundit e Erkandit   

Peshëngritësi Erkand Qerimaj u rendit i katërti në botë në stilin e shkëputjes, gjatë garës së të shtunës, pesha 77 kg, pasi ngriti 155 kg. Në stilin e shtytjes, ai u rendit i 9-ti, me 187 kg, ndërsa në dygarësh sportisti nga Shkodra, u rendit i gjashti.

Por pas s’kualifikimit të rumunit, Dimitru Kaptaru, Qerimaj u fut në zonën e medaljeve në shkëputje dhe u ngjit në vendin e pestë në dy-garësh. Pas s’kualifikimit të Romela Begajt, nënkampione në dygarësh dhe kampione botë në shkëputje, nga 5 sportistë shqiptarë që morën pjesë në botërorin e fundit, është Erkand Qerimaj aktualisht sportisti shqiptar me rezultatet më të mirë në botëror.

Rregullorja e shpërblimeve  

Vendimet e qeverisë për shpërblimet e sportistëve elitarë, ndryshojnë  vazhdimisht, me ndryshimet e qeverive. Parashikohen shpërblime deri në 100 mln lekë për titullin kampion bote, sikurse parashikohen shpërblime edhe për zonën e medaljeve në botëror dhe europian.

Por ka edhe vendime për shpërblime shtesë, çka do të thotë se i takon Ministrisë së Sportit të vlerësojë arritjen e fundit të Erkand Qerimajt, i cili pavarësisht se në dygarësh nuk figuron në zonën e medaljeve, doli i treti në botë në stolin e shkëputjes. Ai është edhe sportisti me rezultatet më të mira në sportin më të suksesshëm që ka Shqipëria.

Arsyeja pse nuk shmanget ndëshkimi nga WADA 

Agjencia Antidoping në Shqipëri, dy vjet që nuk funksionon

Agjencia botërore antidoping, WADA (The World Anti-Doping Agency) është themeluar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, me bazë në Kanada.

Kjo agjenci lufton përdorimin e substancave të ndaluara nga ana e sportistëve, në gara të rëndësishme ndërkombëtare, duke kryer kontrolle rutinë pas tyre. Për të kontrolluar sportistët të mos preken nga ky fenomen para garave, thuajse çdo vend në botë ka krijuar agjencinë kombëtare antidoping. Por kjo agjenci kërkon para nga shteti.

“Albanian Free Press” mësoi se, në Shqipëri kjo agjenci gjithnjë ka pasur probleme financimi dhe ka dy vjet që nuk funksionon, çka është reflektuar shpesh në vendime të gabuara të sportistëve apo të stafeve të tyre, për të arritur medoemos zonën e medaljeve, me shpresë se nuk do të kontrollohen.

Kjo situatë ka sjellë edhe penalizime të rënda për sportistët elitarë të peshëngritjes sonë, gjatë dekadës së fundit. Sipas rregullores, në rast se një sportist kapet dy herë në garë me doping, siç është rasti i fundit i Romela Begaj, ai përjashtohet përgjithmonë nga sporti.