Para nisjes për në Itali nuk ka besuar shumë tek suksesi i sportistes së tij. Jo se dyshonte në aftësitë e saj por sepse Elsidita nuk kishte aspak përvojë në të tilla aktivitete të rëndësishme siç janë Europianët.
Por tashmë Jetmir Kuçi “po çmendet”. Boksierja që ai stërvit ka fituar dy ndeshje në Kampionatin Europian të 18 vjeçarëve që është duke u zhvilluar në Itali dhe ka dalë në finale.
“Bacuku” nuk i ka kursyer as lotët pas këtyre fitoreve.
Selaj nga medalja e bronztë që kishte siguruar dy ditë më parë, sot ka siguruar edhe të argjendtën por mund të mos ndalet më këtu.
Në një prononcim për “Shkodra Sport” pak minuta më parë, trajneri Kuçi do të shprehej:
“Po përjetoj momente që nuk i kam përjetuar as si sportist. Nuk e kisha imagjinuar se mund të shkonte deri këtu.
Fitorja e parë ndaj kundërshtares nga Kroacia, më ka entuziasmuar pa masë, aq sa më kanë shpëtuar edhe lot gëzimi.
Por ajo fitore na dha besim se mund t’ia dilnim edhe më tej. Dhe Elsidita e tregoi edhe sot ndaj kundërshtares nga Irlanda këtë gjë.
Ajo kishte një përvojë të madhe pjesmarrje nëpër europianë dhe botërore megjithatë sportisja ime tregoi klas dhe e dominoi ndeshjen.
Fakti që ajo përfundoi 5-0 është treguesi më i mirë për këtë gjë. Tashmë ka fituar të drejtën për të dalë në finale ku do të ndeshet me një kundërshtare nga Rusia.
Objektivi jonë është arritur dhe tejkaluar dhe prandaj nuk do ta mbajmë shumë mendjen aty por meqë është finale, gjithçka mund të ndodhë.
Elsidita mund të bëjë gjëra të mrekullueshme dhe nuk do të ishte çudi nëse do të shpallej edhe kampione Europe”.
Por trajneri Kuçi jep edhe një tjetër të mirë për sportisten e tij kur thotë:
“Me rezultatet që ka arritur deri më tani, Selaj ka fituar të drejtën për të marrë pjesë në Botërorin e 18 vjeçarëve por ajo çfarë na ka lumtuar më shumë, ka siguruar edhe pjesmarrjen në Olimpiadën U-21 që sivjet zhvillohet në Buenos Aires të Argjentinës.
Kjo është fantastike. Të drejtën për t’u kualifikuar për në këtë Olimpiadë e ka vetëm sportistja që del kampione Europe por rusja me të cilën do të ndeshet boksierja jonë, ka fituar më parë këtë të drejtë.
Për këtë arsye, Elsidita Selaj ka fituar të drejtën për të shkuar në Olimpiadë dhe kjo është diçka fantastike. Kemi të bëjmë me një sportiste të shkëlqyer, karriera dhe sukseset e së cilës sapo kanë nisur”.
© shkodrasport.com