Një vit më parë në Iali fituan medaljen e argjendtë në Kampionatin Europian U18, ndërsa këtë herë në Europianin U22 kanë siguruar medaljen e bronztë deri më tani. E kemi fjalën për boksieren shkodrane Elsidita Selaj dhe trajnerin e saj Jetmir Kuçi.
Ky i fundit ka kohë që evidenton vlerat e kësaj sportisteje dhe bën apel për mbështetje, por në fakt pak e kanë gjetur deri më tani.
Megjithatë ata kanë vazhduar punën dhe ja ku erdhi suksesi tjetër. Duke folur në lidhje me fitoren e djeshme ndaj boksieres bjelloruse, trajneri Jetmir Kuçi në një prononcim ekskluziv për “Shkodra Sport” do të shprehej:
“Për këtë ndeshje kemi ndjekur një strategji të veçantë e cila na doli me sukses. Morëm shumë informacion në lidhje me boksieren bjelloruse dhe bashkë me Elsiditën ramë dakord që ajo të bënte gjithçka për ta mbyllur ndeshjen para gongut të fundit në mënyrë që të mos e linim vendimin në dorë të gjyqtarëve, duke pasë parasysh se jemi në Rusi.
Dhe kështu ndodhi. Selaj bëri një ndeshje të shkëlqyer duke i dhënë tre nokdaune kundërshtares dhe duke e detyruar të tërhiqet nga ndeshja. Elsidita eshte fantastike dhe Shqiperia duhet ta kuptoje se kemi te bejme me nje thesar qe mund t’i dhuroje asaj shume suksese ne arenen nderkombetare”.
Ndërkohë i pyetur në lidhje me ndeshjen e ardhshme, trajneri Kuçi shprehet se do jetë shumë e vështirë sepse kundërshtarja ruse është shumë e fortë megjithatë Elsidita Selaj do të mundohet të bëjë sërish punën e saj.
Duhet thënë se këto dy boksiere janë ndeshur me njëra- tjetrën edhe vitin e kaluar dhe ka fituar rusja megjithatë sportistja shqiptare këtë herë do të synojë revanshin.
© shkodrasport.com