Jetmir Kuçi është një figurë e njohur për sportin shqiptar, i cili ndër vite ka punuar fort për ëndrrën e tij, atë të boksit. Tashmë, ai vazhdon karrierën në boks si trajner, ku pasionin e tij në këtë sport po e vijon edhe vajza e tij, Alba Kuçi, e cila u shpall fituese në ndeshjen e parë historike të boksit të femrave.
Në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport”, Jetmir Kuçi ka përcjellur emocionet e tij në lidhje me këtë ndeshje të parë të boksit të femrave, e cila u zhvillua në Shkodër.
Në lidhje me një gjë të tillë, trajneri Kuçi, duke folur në prononcimin e tij, u shpreh se është risi për qytetin tonë të zhvillohet kampionati i parë i boksit të femrave në Shkodër, ndërsa theksoi se hapat e parë janë pozitivë, me qytetin verior që si gjithmonë mbetet në “pararojë” në nisjen dhe zhvillimin e sporteve të ndryshme.
Kështu në këtë mënyrë, përveç futbollit të meshkujve si edhe atij të femrave, qyteti i Shkodrës tashmë do të njihet edhe për ndeshjen e parë të kampionatit kombëtar të boksit për femra, duke u futur në histori edhe për këtë lloj sporti.
“Çdo gjë e re sa i përket sportit ndodh në Shkodër për herë të parë. Zhvilluam kampionatin e parë të boksit me femrat me moshat 15 dhe 16-vjeçare. Unë mendoj që këtu fillon risia. Ashtu siç kanë filluar edhe gjëra të tjera, po fillon edhe boksi. Unë mendoj që hapat e parë janë pozitivë.
Nuk është se nuk ka boksiere nepër Shqipëri, ka realisht, por si hap i parë dhe si iniciativë fillon me kampionatin që bëhet në Shkodër dhe ekipi i Vllaznisë merr pjesë me Arba Kuçin, që u ndesh me një vajzë tjetër që përfaqëson ekipin e Flamurtarit të Vlorës.
Në boksin e femrave janë ende hapat e parë. Tashmë, duhet të shikojmë rrugën në vazhdimësi. Rruga është shumë e gjatë. Unë besoj se 2023 do të ketë shumë surpriza.
E ardhmja e Arba Kuçit? Unë mendoj se brenda saj ka pasion dhe një lloj displine. Megjithatë, të shohim, sepse është e vogël dhe kemi kohë për të folur”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë në boks, Jetmir Kuçi.
Maringlen ZHIVANI