Më 17 prill në Abruzzo të Italisë do të zhvillohet Kampionati Europian i 18 vjeçarëve në boks dhe në të do të marrë pjesë edhe një sportiste nga Shkodra dhe Shqipëria. Bëhet fjalë për Elsidita Selajn.
17 vjeçarja po stërvitet me shumë intensitet për këtë aktivitet të rëndësishëm, i cili është i pari i një rangu të tillë ku ajo do të marrë pjesë (ka marrë pjesë edhe në Kampionatin Ballkanik ku mori medalje bronzi).
Duke folur per “Shkodra Sport” në lidhje me këtë event, trajneri i saj, i mirënjohuri Jetmir Kuçi, “zbulon” disa gjëra fantastike që tregojnë përkushtimin e kësaj sportisteje.
“Me Elsiditen stërvitemi deri 5 orë në ditë. Po, po, mos u çuditni. Dy orë stërvitje paradite dhe tre orë pasdite.
Ajo nuk heq dorë asnjëherë nga dëshira për t’u stërvitur dhe kjo më ka rrëmbyer edhe mua.
Jam çuditur nga përkushtimi i saj. Ka rënë plot 22 kg në peshë këto muajt e fundit dhe tashmë shpreson që të bëjë mirë në këtë Europian.
Normalisht nuk mund të pretendojmë gjëra të mëdha në këtë garë të parë europiane por e rëndësishme është që kjo vajzë të njohë kundërshtaret e saj dhe të mendojë për vazhdimësinë”- thotë Kuçi.
Por sakaq, duke folur për këtë sportiste, trajneri i saj bën publike edhe disa problematika që shoqërojnë sportin aktual dhe kryesisht boksin.
“Unë me këtë vajzë stërvitemi pesë orë në ditë sepse duam të kemi sukses dhe kështu stërviten profesionistët.
Por nëse duam të sillemi si të tillë në stërvitje, ashtu siç bën e gjithë Bota, nuk jemi të tillë në aspekte të tjera.
Po ju them vetëm diçka: Biletën e rrugës për në Europian dhe shpenzimet e tjera që duhen për të, gjysmën ia ka paguar vetë familja e kësaj sportisteje dhe gjysmën tjetër presidenti i Federatës Florent Kalivopulli me disa miq të tij.
Për biletën time ka menduar nipi i deputetit Tom Doshi. Por nuk shtyhet kështu, ky nuk është sport.
Unë nuk jam lypës, as kjo vajzë nuk mundet dot të shkojë në Europian me paratë e familjes së saj.
Nuk shoh asnjë perspektivë për sportin shqiptar dhe prandaj, rasti i Elsiditës është i fundit që unë merrem për të stërvitur sportistë.
Nuk dua t’i marrë në qafë. I ushqej me atë iluzionin se mund të maten të barabartë me kolegët e tyre europianë kur në fakt nuk kemi asgjë të përbashkët me ta.
Ne jemi shumë vite larg tyre dhe ndoshta nuk do të barazohemi kurrë. Thjesht na mban dëshira dhe pasioni për të bërë diçka të mirë”- thotë në fund të prononcimit të tij i mirënjohuri Jetmir Kuçi.
© shkodrasport.com