Kampioni mbetet kampion. I tillë është padyshim Jetmir Kuçi. Edhe mbrëmë në “Feti Borova” ka arritur të tregojë veten ndaj grekut Kostandinos Kavvadias.

Ky i fundit më i ri në moshë, më me shumë eksperiencë por në ring përballë 40 vjeçarit nga Shkodra, nuk ia ka dalë të fitojë.

“Bacuku” e ka çuar deri në nokdaun, ka treguar një formë shumë të mirë sportive dhe në fund, është shpallur fitues.

Gjerdani simbolik që i është vënë atij në gjoks nga bashkëqytetari i tij Elis Guri, njëkohësisht promotori i këtij aktiviteti, natyrisht që ka një vlerë të madhe morale.

Tregon më së miri se ky kampion s’ka ndër mend të ndalet kurrë. Pavarësisht moshës së tij, Kuçi dëshiron të vazhdojë edhe më tej.

E mbrëmshmja ka qenë fitorja e tetë e tij si profesionist (ka edhe tre humbje) por me siguri që nu do të jetë e fundit. Vetë ai ka premtuar të tjera suksese.

Një veprim kampionësh. Dhe jo vetëm si sportist. Po e tregon këtë edhe si trajner. Mbrëmë u ngjit në ring edhe sportistja e tij Elsidita Selaj ka fituar me nokaut ndaj kosovares Alije Hamiti.

Nënkampionia e Ballkanit dëshiron të vazhdojë rrugën e trajnerit të saj dhe në fakt ka se çfarë të mësojë nga ky kampion.
© shkodrasport.com