Boksieri shkodran Jetmir Kuçi ka arritur një tjetër fitore shumë të rëndësishme në boksin profesionist. Ai ka zhvilluar një ndeshje shumë të bukur ndaj boksierit nga Bosnja Emir Telaloviç duke e mundur atë me pikë. Ndeshja e rradhës për të është zhvilluar mbrëmjen e së martës në Prishtinë në një atmosferë shumë entuziaste. Siç bën të ditur faqja www.kosovaboxing.org, boksieri nga Bosnja që ishte kundërshtar i Kuçit në këtë ndeshje, deri më tani nuk kishte pësuar asnjë humbje në boksin profesionist dhe konsiderohej favorit për ta fituar edhe këtë ndeshje, por Kuçi farë eksperiencës së tij ka arritur ta mundë atë. Një ndeshje shumë e fortë, teksa të dy boksierët janë munduar të sfidojnë njëri-tjetrin por shkodrani ka qenë më i suksesshëm me goditjet e tij duke triumfuar në fund. Me këtë fitore, Kuçi tani ka bilanc prej 7 fitoresh, nga të cilat 4 me nokaut dhe 2 humbje. Gjyqtarët e vlerësuan këtë duel me këtë pikëzim 60-58, 60-58 dhe njëri 59-59. Sigurisht që një fitore e tillë ka shkaktuar jo pak jehonë në Kosovë ku dhe është zhvilluar ndeshja ndërkohë që pas nisjes së bërë në Shqipëri, duket se ky lloj boksi nuk po ecën më përpara. Jo më kot, Kuçi është i detyruar t’i zhvillojë ndeshjet e tij jashtë kufijve tanë. E rëndësishme është që ai po tregohet i suksesshëm teksa në 9 ndeshje të zhvilluara deri tani si profesionit, ka arritur të fitojë 7 prej tyre.
Gjergj KOLA