Boksierja shkodrane Elsedita Selaj prej rreth dy muajsh vijon përgatitjen e saj intensive me tre seanca stërvitore në ditë për pjesëmarrjen e saj për në kampionatin botëror të boksit për femra.
Elsedita Selaj dhe trajneri i saj Jetmir Kuçi po përgatiten seriozisht për këtë kompeticion botëror ku synimi i tyre është arritja e zonës së medaljeve.
Kuçi dhe Selaj do të nisen në datën 18 gusht ku edhe do të zhvillohet hedhja e shortit ku do të njihen me rivalet që Elsedita do të ndeshet në ring. Ndërkohë më datë 20 po të këtij muaji do të zhvillohen edhe përballjet mes konkurenteve.
Trajneri i saj Jetmir Kuçi në një pornoncim për “Star Plus” bëri me dije se mbështetja nga ana institucionle mungon duke bërë që edhe Elsedita të largohet siç kanë bërë sportistë të tjerë të njohur si Elis Guri, Izmir Smajlaj, Erkan Qerimaj etj.
Për në kampionatin botëror të boksit për femra Kuçi bën me dije se mbështetja e vetme që kanë marrë për në këtë kompeticion është ajo e Federatës Shqiptare të Boksit.
Ndërsa për në olimpiadën për 18 vjeçaret që do të mbahet në muajin tetor ku edhe në këtë kompeticion boksierja Elsedita Selaj është pjesëmarrëse është mbështetur nga Komiteti Olimpik.
E pavarësisht vështirësive që Kuçi dhe Selaj po hasin në rrugëtimin e tyre ata vazhdojnë të përgatiten fort për të arritur objektivat e tyre jo vetëm për në kampionatin botëror apo olimpiadës por edhe në vijëmësi.