Boksieri i mirënjohur shkodran Jetmir Kuçi nuk e ka ndër mend të tërhiqet kollaj nga ringu. Shumë shpejt, pritet që ai të zhvillojë ndeshjen e rradhës në boksin profesionist.

Këtë gjë ai e ka zbuluar ekskluzivisht në një prononcim për “Shkodra Sport” kur thotë: “Po ju them se shumë shpejt kam një projekt të ri për të zhvilluar një tjetër ndeshje.

Këtë herë në Itali. Jemi ende në fazën e programimit të gjërave por e rëndësishme është që ndeshja do të zhvillohet”.

Kjo do të jetë ndeshja e 12-të si profesionist për 40 vjeçarin shkodran. Deri më tani ka arritur tetë fitore (të fundit javën që shkoi ndaj grekut Kavvadias në Tiranë) dhe tre humbje.

Do të kërkojë fitoren e nëntë por mbi të gjitha ajo që vlen në këtë rast, është sfida që po i bën moshës së tij.

Jetmir Kuçi është shembulli i njeriut plot pasion që nuk heq dorë kollaj nga sporti, gjëja që ai di të bëjë më mirë në jetë.
© shkodrasport.com