Tetë ekipe ka provuar në karrierën e vet mesfushori i avancuar i Dinamos, Jetmir Sefa. Mes tyre edhe Vllazninë e Shkodrës. Sefa i ka provuar të gjithë,të dalë kampion, të fitojë Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, por edhe të jetë pjesë e Shpresave U-21 e Kombëtares.

Tashmë luan për Dinamon në Kategorinë e Parë, me shpresën për të dhënë kontributin e tij dhe rikthyer në elitë blutë me traditë. Në një intervistë për “Vipsport.al”, Jetmir Sefa flet përpara ndeshjes dhe tregon synimet.

-Sefa, jeni duke u shfaqur si lider te Dinamo, madje keni shënuare dhe dy gola.

Po më vjen mirë që po kontribuoj, që skuadra në radhë të parë të jetë mes pretendentëve. Kemi shanset tona dhe besoj se edhe mund t’ia dalim.

-Përballë keni Vllazninë, një ekip shumë më i fortë dhe që keni luajtur më parë. Keni nostalgji dhe çfarë synon nesër?

Vllazninë e respektojmë, një ekip me traditë. Dinamo dhe Vllaznia janë emblema në futbollin tonë dhe meritojnë që të paktën të jenë në Superiore. Dinamo ka bërë disa gabime edhe në shtëpi, por futbolli prandaj është surprizues. Megjithatë jemi në garë dhe duhet që të fitojmë me Vllazninë.

-Erzeni është ndalur, keni shansin për t’u afruar në vendin e dytë…

Ne shohim punën tonë, mendojmë për Vllazninë dhe vetëm të fitojmë me shkodranët, aq më tepër që do të kemi një mbështetje të madhe dhe nga tifozët tanë. Shpresoj t’ia arrijmë synimit sepse kështu edhe gara do të bëhej akoma më e bukur./vipsport/