Jetmir Sefa është një nga kualitetet që ka afruar skuadra e Dinamos. Me një eksperiencë të madhe në Superiore teksa ka luajtur edhe me Vllaznine me pare, Sefa dikur edhe ish-pjesë e Kombëtares sonë, në një intervistë për “Vipsport.al”, flet për Dinamon por edhe rivalitetin në Grupin e Veriut. Sipas tij, gara do të jetë e fortë…

-Sefa, zgjodhët që të riktheheshit te Dinamo në Kategorinë e Parë, pse?

Kam qenë te Dinamo dhe është një klub me emër të madh në futbollin shqiptar. Ka histori dhe unë kam luajtur kur skuadra pretendonte për titull. Por, financat e sigurta dhe ambiciet e skuadrësmë bën që të kontribuoj edhe unë.

-Por, në grupin tuja është edhe Vllaznia që nuk di të ndalet…

Nuk kemi diferencë të madhe pikësh me Vllazninë. Shkodranët janë një ekip shumë i fortë dhe me emër, por edhe ne jemi Dinamo. Pastaj, mos harroni kjo formulë edhe sikur të jesh 10 pikë diferencë, me përgjysmimin e pikëve, vendi i dytë favorizohet shumë në fazën e tretë. Këtë e kam edhe nga eksperienca ime me Kamzën dy vite më parë.

-Sa shanse ka Dinamo që të ngjitet?

Ne duhet që të japim më të mirën në çdo ndeshje, të marrim maksimumin e pikëve. Pastaj, në pjesën e dytë, ndoshta dhe me përforcimet që do të bëjmë, jam shumë i bindur që do të jemi një Dinamo shumë më e fortë.

-Duke qenë se e njihni, si është Kategoria e Parë?

E njoh mirë, madje mund të them se po t’i hedh një sy të dyja grupeve, unë kam luajtur me disa ekipe. Dinamon e njoh, po ashtu edhe Vllazninë apo dhe Bylisin në Jug. Apolonia e Lushnja mbeten solide. Në Kategorinë e Parë është historia e futbollit shqiptar. Pastaj edhe terrenet janë në kushte shumë të mira. Nuk është si para disa viteve.