Eden Hazard do të vazhdojë te jetë pjesë e Çelsit, edhe pse mediat angleze kanë zbuluar një skenar transferimi që në janar që do të kishte qenë i mundshëm.
Ylli belg i londinezëve është kthyer në dëshirën kryesore të merkatos së klubeve të njohura si Real Madrid dhe Mançester Siti por blutë vendosën ta mbanin duke refuzuar oferta të jashtëzakonshme.
Pikërisht Mançester Siti u mundua që të transferonte futbollistin që në janar dhe sipas “The Telegraph”, ka bërë një ofertë prej 220 milionë eurosh.
Një shifër e tillë do të ishte tunduese për shumë klube, por jo për Çelsin, i cili ka refuzuar menjëherë këtë mundësi duke insistuar që të mbajë lojtarin dhe të mos lejojë kalimin e tij nën urdhrat e Pep Guardiolës.
Çelsi nuk dëshiron të forcojë më shumë një rival në Angli dhe nëse do të ishte i detyrar të linte të lirë lojtarin, Real Madrid do të ishte preferenca e parë.
Por londinezët në këtë moment po përgatiten t’i rinovojnë atij kontratën, duke i siguruar një rrogë prej 340 mijë eurosh në javë, për ta bindur që të vazhdojë të jetë pjesë e tyre. /vipsport/