Nga Endri ÇINARI
Bekim Balaj po udhëheq tabelën e golashënuesve në Superligën e këtij sezoni. Në kuotën e 17 golave, në një moment ku kanë ngelur edhe 4 ndeshje për mbylljen e edicionit, shtatlarti i Vllaznisë duket i sigurtë për fitimin e “Këpucës së Artë”. Çmim individual që i jepet çdo fund sezoni shënuesit më të mirë të edicionit.
Por nëse 33-vjeçari po dominon Superioren, një tjetër shkodran pretenton “Këpucën e Artë” në Kategorinë e Parë. Fjala është për Jasmin Rraboshten, sulmuesin e Vorës. Me një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe një “thes” me gola, Rraboshta ka udhëhequr suksesshëm ekipin. Ku tashmë Vora është në zonën e Play Off dhe do tentojë ngjitjen në Superiore deri në fund.
Deri më tani në 30 javë të zhvilluara në Kategorinë e Parë dhe nga 58 golat që ka shënuar Vora, Rraboshta ka shënuar 16 të tillë. Duke qenë jo vetëm golashënuesi më i mirë i ekipit, por edhe ndër më të mirët e kampionatit. Në kuotë të njëjtë golash me shkodranin është edhe Itodo i Luzit e ndërsa ndjek edhe Greca i AF Elbasanit me 15 rrjeta.
Në një moment ku kanë ngelur 3 ndeshje për mbylljen e sezonit të rregullt në Kategorinë e Parë, objektivi i parë i Vorës është realizuar. Dhe ky ishte sigurimi i zonës Play Off për ngjitjen në Superiore. E një objektiv në këto ndeshje të mbetura mund të jetë edhe shpallja si golashënues i kampionatit të Jasmin Rraboshtes./www.shkodrasport.com/