Jo vetëm Erzeni. Edhe tek Dinamo ka shpresa për një përmbysje të situatës në gjysmën e dytë të kampionatit dhe synohet kalimi i Vllaznisë në renditje. Një mendim të tillë e shfaq trajneri i kësaj skuadre Igli Allmuça në një prononcim që ka dhënë sot për “sportekspres.com”. Sipas tij, skuadra do të vazhdojë të luftojë deri në fund të kampionatit.
“Pjesa e dytë e këtij kampionati bëhet edhe më e vështirë, nisur edhe nga përgjysmimi i pikëve në fazën e tretë. Por kjo besoj se për Dinamon do të jetë një shtysë reale për synimin madhor: rivalizimin me Vllazninë për vendin e parë”-është shprehur ai.
Dinamo pas 14 javësh kampionat ka arritur të grumbullojë 24 pikë dhe mban vendin e tretë në renditje duke qenë plot 11 pikë larg Vllaznisë kryesuese.
Në pamje të parë një diferencë e tillë duket e vështirë për t’u rikuperuar por tek blutë ka besim. Për më tepër që në fazën e tretë pikët do të përgjysmohen dhe diferenca do të ngushtohet.
Trajneri Allmuça ka besim se drejtuesit e klubit do të sjellin në skuadër të tjerë lojtarë cilësorë si përforcim në këtë periudhë merkatoje megjithatë pritet për t’u parë se çfarë do të ndodhë konkretisht.
© shkodrasport.com
Ne foto trajneri aktual i Dinamos Igli Allmuça ne dyluftim me zevendestrajnerin e Vllaznise Safet Osja, ne kohen kur ata luanin futboll