Shtohen të interesuarit për Vllazninë. Bashkia ka nisur proçesin e privatizimit të klubit dhe deri tani, vetëm Valter Fushaj kërkon timonin e ekipit. Por, një kompani serioze është gati t’i bashkohet proçesit. Bëhet fjalë për firmën gjermane Ramej, e cila ka aksione në klubet e Dortmundit dhe Nurenbergut, por jo vetëm, siç raporton “Shkodra.news”. Një përfaqësues i kësaj kompanie ka zbritur në Shkodër. I shoqëruar nga drejtori i akademisë, Alban Hasani, ai ka ndjekur stërvitjen e ekipit në fushën e Golemit.

Sigurisht që sot do jetë në stadium për sfidën, Vllaznia-Kukësi. Mbasi kanë bërë kërkesën zyrtare në bashki për kreun e klubit, gjermanët i janë futur punës në terren. Përfaqesuesi gjerman ka parë gjithë ambientet e klubit dhe po analizon gjithë detajet teknike, sportive dhe ekonomike. Për të konkretizuar pastaj ofertën, kur tenderi i privatizimit të hapet. Gjermanët janë seriozë dhe duan të jenë gati. Takime ka pasur dhe me kryebashkiaken Ademi dhe çdo gjë po shkon mirë. Hasani i cili është “zgjedhur” si krahu i djathë i gjermanëve ka shoqëruar gjatë gjithë kohës përfaqësuesin e kompanisë.

Pra Fushaj dhe gjermanët. Por ska mbaruar. Një palë tjetër është e interesuar për mazhorancën e aksioneve të Vllaznisë. Një kompani turke e cila ka aksione në disa klube futbolli po pret ditën kur nis tenderi. Turqit po përgatisin gjithë dokumentacionin e duhur, për të dalë me ofertën e tyre. Edhe njëherë. Janë, Fushaj, gjermanët dhe turqit. Të gjithë për kreun e Vllaznisë.